Shtëpia e Bardhë shpall fitoren, Trumpi thotë se kjo mund të jetë “Epoka e Artë” e Lindjes së Mesme

“Kjo është një fitore për Shtetet e Bashkuara që presidenti Trump dhe ushtria jonë e jashtëzakonshme e bënë të mundur”, ka thënë Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar se ai “rihapi Ngushticën e Hormuzit”.
Leavitt vëren se presidenti kishte thënë që në fillim se “Operacioni Epic Fury” do të ishte një operacion katër deri në gjashtë javë, duke shtuar se SHBA-ja “arriti dhe tejkaloi objektivat kryesore ushtarake në 38 ditë”.
Ndërkaq vetë Trumpi, ka postuar në Truth Social për të thënë se është një “ditë e madhe për Paqen Botërore!”.
Trumpi po ashtu ka thënë se kjo mund të jetë “Epoka e Artë e Lindjes së Mesme”.
Ai e ka bërë postimin disa orë pas njoftimit se është arritur një armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit, teksa shton se SHBA-ja do të ndihmojë në lëvizjen e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit.
“Një ditë e madhe për Paqen Botërore! Irani dëshiron që kjo të ndodhë, ata kanë duruar mjaft! Po kështu, të gjithë të tjerët kanë bërë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndihmojnë me rritjen e trafikut në Ngushticën e Hormuzit. Do të ketë shumë veprime pozitive! Do të fitohen shumë para. Irani mund të fillojë procesin e rindërtimit. Ne do të ngarkojmë furnizime të të gjitha llojeve dhe thjesht do të “rrimë andej-këndej” për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë. Jam i sigurt se do të shkojë. Ashtu siç po e përjetojmë në SHBA, kjo mund të jetë Epoka e Artë e Lindjes së Mesme!!!”, ka shkruar ai.