Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk përgjigjet

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk përgjigjet

Në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, aktualisht janë të vendosur 63 të moshuar, pa përkujdesje familjare. Duke ditur se këta të moshuar kanë probleme të ndryshme shëndetësore për shkak të moshës, kësaj shtëpie i mungon një autoambulancë në raste emergjente. Për këtë ankohen edhe vet banorët, ndërsa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka zgjedhur të hesht.

Tash e njëmbëdhjetë vjet ajo ka gjetur përkujdesje në këtë vend. Në shtëpinë e të moshuarve erdhi me burrin e saj, mirëpo, para tri vitesh ai ndërroi jetë.

Sikur të mos i mjaftonin vitet që e kanë rënduar, asaj dita ditës po i keqësohet edhe shëndeti.

Taibe Vitia, 76 vjeçare tash e tri javë po ka problem me frymëmarrje, mirëpo në mungesë të autoambulancës, nuk ka pasur mundësi të bëjë kontrolla te mjeku, ndërsa barnat është detyruar t’i blej vet.

“Jena n’zor për një kerr me shku nëpër spitale, kerr nuk po kemi, që tri javë jom në pushim mjekësor, nuk po muj me shku në kontrolla, se kerr s’po ka, ilaqet po duhet me i ble, nuk po kom me çka, jom prej fryme po duhet me shku në kontrollë po s’po muj.. qishtu.. veç po duhet me ble ilaçe. Kur s’po ka ilaçe po duhet me i ble vet… po duhet me i pagu vet”, thotë Vitia.

Kërkesë të njëjtë ka edhe vet drejtoresha e kësaj shtëpie, Raza Aliçkaj ku madje përmend se kjo shtëpi, ani pse ka një ashensor funksional, megjithatë është mjaft i vjetëruar.

“Ashensorin kam dasht me pas të ri, se e kemi shumë të vjetër…Kemi nevojë për një autoambulancë për klientë që të jetë më e përshtatshme për transportin e tyre, kur kemi nevojë t’i transportojmë në QKUK dhe në qendrat e mjekësisë familjare . Ashensorin kam dasht me pas të ri, se e kemi shumë të vjetër”, deklaron Aliçkaj.

Kp ka tentuar të marrë një përgjigje në lidhje me këtë, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por nuk janë përgjigjur.

63 banorët e kësaj shtëpie ditën e kalojnë këtu. Disa me punë dore, disa duke shikuar televizor, e disa të tjerë duke shfrytëzuar parkun që kanë jashtë kësaj shtëpie.

Megjithatë, thonë se është shumë e vështirë, që vitet e pleqërisë t’i kalojnë larg nga familjarët e tyre.

Razie Fanaj ka ardhur në këtë shtëpi, që dy muaj. Mes-lotësh tregon se sa vështirë po kalon këto ditë, kur tash së fundmi i kanë vdekur edhe ata të afërm që kishte.

“Babën nuk e kom më ka vdekur, nana më ka vdek, edhe motra, edhe një vëlla e kom pas, unë jom pa kërkon hiç. E martume jom kon, nuk më ka gëzu Zoti me fmi… nuk e kom kerkon”, thotë Fanaj.

Ani pse është e kënaqur me atë çfarë ju ofrojnë në shtëpinë e moshuarve, Shejnaze Salihu lutet që askush të mos ketë fatin të përfëundojë aty.

“Ju kisha lut rinisë, të gjithëve, që të kujdesen për prind, e mos të vjen puna me ardh këtu, po me nejt afër kush i ka të vet… Me pas kujdes për prindin, nuk vjen kërkush këtu veç unë shoqja jeme që nuk kom fëmijë, e tjetrës e tjetrës e tjetrës”, shton Salihu.

Në shtëpinë e të moshuarve në Prishtinë, janë të akomoduar 63 persona. Prej tyre 37 gra dhe 26 burra.

Drejtoresha e ‘Shtëpisë së Moshuarve ’, Raza Aliçkaj tregon për përkushtimin e të gjithë personelit që këtyre të moshuarve t’ju ofrohen shërbime sa më cilësore duke ua lehtësuar sado pak mungesën e familjes.

“Ne jemi institucion që mundohemi t’ua plotësojmë zbraztirat dhe mangësitë që ata kanë në familje, mirëpo tek zbrazëtirat emocionale ndoshta është pak më e vështirë sepse disa gjëra nuk mundesh me i plotësu, pavarësisht që ndoshta mundesh me i lehtësu. Dhe ne punojmë në vazhdimësi me krejt stafin që e kemi që këta të ndihen me të vërtetë komod”, thotë Aliçkaj.

Shërbimet në shtëpinë e të moshuarve janë 24 orëshe, ndërsa kapaciteti i saj është deri në 100 të moshuar.

Të punësuar në këtë shtëpi janë 55 persona, duke përfshirë shërbimin social, shëndetësor dhe atë të kuzhinës.