Shteti mbi gjysmë miliard euro borxh bizneseve dhe qytetarëve

 

Mbi gjysmë miliard euro ka arrit borxhi i shtetit ndaj kompanive dhe qytetarëve në vend. Borxhe të cilat janë në rritje vazhdimisht dhe kështu po kërcënohet seriozisht buxheti i shtetit.

Derisa shqetësuese mbetet që në disa organizata buxhetore dhe në Telekomin e Kosovës vazhdojnë të japin paga për punëtorë pa shkuar në punë fare.

Auditori i përgjithshëm i Zyrës Kombëtare të Auditimit, Besnik Osmani thotë se janë tri kërcënime serioze që po i bëhen buxhetit të shtetit, nga borxhet e mëdha të shtetit ndaj qytetarëve dhe bizneseve, nga rënia e të hyrave buxhetore dhe nga borxhi i jashtëm.

Osmani thotë se duke i llogaritur obligimet sipas të gjitha bazave, operatorët ekonomikë dhe qytetarët kanë pretendime financiare ndaj Qeverisë mbi 556 milionë euro, që sipas tij, ky trend është në rritje.

“Nëse këto tria nuk menaxhohen mirë, buxheti kërcënohet në mënyrë serioze dhe të bëhet i aftë për të financuar institucionet e shtetit. Fatkeqësisht dy të fundit, borxhet kundrejt qeverisë nga bizneset dhe qytetarët po rriten prej 16 përqind në krahasim me vitin paraprak. Ky është një tregues shumë i dëmshëm, por njëkohësisht është edhe një alarm për institucionet që kanë përgjegjësi ta përmirësojnë këtë. Përkundër kësaj është treguesi tjetër që po rriten edhe borxhet e qeverisë ndaj bizneseve. Prandaj, me efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe të përmbaruesve, ne do të jemi në një pozitë kur qeveria duhet t’i paguajë këto borxhe, derisa në anën tjetër është në pozitë që nuk mund të inkasosh dhe në anën tjetër duhet t’i paguash. Në këtë formë natyrisht që vjen kërcënimi. Këto borxhe kanë kaluar shifrën prej 500 milionë euro. Borxhi i jashtëm, është një borxh diku pak mbi 1 miliard euro”, tha Osmani.

Në anën tjetër shuma e borxheve të qytetarëve dhe bizneseve ndaj Qeverisë është pothuajse e njëjtë me atë të vitit paraprak – mbi 637 milionë janë borxhe të pa mbledhura, nga të cilat në nivel qendror janë 452 milionë dhe në nivel lokal 185 milionë.

Pjesa dërmuese e borxheve të pa mbledhura ka të bëjë me ATK-në dhe Doganën, të cilat së bashku kanë 404 milionë borxhe të pa mbledhura apo rreth 64% të shumës totale.

Auditori ka ngritë edhe një shqetësim tjetër, për disa organizata dhe ndërmarrje publike që japin paga për punëtorë pa shkuar në punë fare.

“Sa i përket organizatave buxhetore të cilat financohen direkt nga buxheti i shtetit kemi një numër të caktuar të shkeljeve për të cilat ne kemi dhënë diku 950 rekomandime, që në shumicën e institucioneve janë të natyrës së njëjtë. Nëse marrim kategorinë e pagave ajo që ne kemi evidentuar është se kemi punësime të cilat janë lidhur kontrata në vepër dhe nuk janë respektuar procedurat e aplikimit që lidhen me transparencën dhe konkurrencën dhe pagat e tyre janë bërë nga kodet buxhetore që kanë qenë të gabuara. Te pagat po ashtu kemi raste të tjera kur janë paguar nga lista e pagave që është jashtë kriterit ligjor apo kemi raste të tjera kur janë paguar punëtorët, institucionet për të cilat ata punojnë dhe marrin pagat nuk kanë qenë në gjendje para auditorëve tonë të dëshmojnë se ata punëtorë kanë kryer punën e tyre qoftë edhe në kërkesa që kanë të bëjnë me vajtje ardhje në punë”, tha Osmani.

Ai më tej ka thënë se nga numri i organizatave që janë audituar për vitin 2019 kanë dhënë 26 opinione negative të auditimit, kryesisht për ndërmarrjet publike.

Shqetësimet, sipas Osmanit kanë të bëjnë me likuiditetin e ndërmarrjeve dhe lidhur me vështirësitë financiare që ato i kanë dhe do t’i kenë për t’i ofruar këto shërbime.

“Sa i përket institucioneve ku kemi pika më kritike janë pikërisht ndërmarrjet publike ngaqë kanë obligime qoftë afat shkurta dhe afat gjata. Ato po rriten në krahasim me vitet e kaluara. Kjo u pamundëson atyre që të paguajnë fatura për operimet që i kanë dhe nëse ky trend vazhdon në të ardhmen mund të ketë mungesë të shërbime themelore për qytetarët….(7:52) Sigurisht që raportet tona më voluminoze janë tek Telekomi dhe te Posta e Kosovës edhe për nga madhësia dhe për nga shërbimet të cilat ofrojnë. Ajo që kemi evidentuar tek këto ndërmarrje është përafërsisht e ngjashme me shkeljet të cilat unë sapo i përmenda tek grupimet(punësimet dhe pagat)për arsye se është e pa mundur që të përfshihen në një intervistë të gjitha”, tha ai.

Osmani duke folur për raportin e adutimit të vitit 2019, thotë se nga numri i organizatave që janë audituar përkundër pandemisë, mbulimi ka qenë në nivel.

Auditorit pohon se janë prodhuar rreth 130 raporte të auditimit që janë përfshirë të gjitha institucionet që përdorin paranë publike dhe është raportuat për një numër të caktuar të shkeljeve të cilat lidhen me menaxhimin e parasë publike dhe me kualitetin e shërbimeve kundrejt qytetarëve.

Nga viti paraprak vetëm 40 përqind e rekomandime janë zbatuar dhe 15 përqind janë në zbatim e sipër, ndërsa pjesa tjetër e rekomandimeve nuk ka filluar ende, kjo nënkupton që kërkohet një përkushtim më i madh.

Back to top button