Prokuroria Speciale e Kosovës ka urdhëruar sekuestrimin e tri veturave të personave që janë të përfshirë në vjedhjen e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Drenas 09.10.2020 – NN. Me 24.10.2020 21:30. Lidhur me rastin, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, janë sekuestruar tri vetura. Rasti është duke vazhduar të hetohet”, ka njoftuar Policia.

Një punëtor i Thesarit të Kosovës, me inicialet L.G, dyshohet se ka bërë transferimin e mbi 2 milionë eurove përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group Shpk (shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Gllogocit, 30 kilometra larg Prishtinës. Policia ka njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje, pas hetimeve të zhvilluara, është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati./21Media