Shtimi i numrit të policëve në veri deri te lëndimi i një prej tyre

Të enjten, Policia e Kosovës rriti praninë në veri, pas sulmeve që u bënë në komunat veriore në dy ditët e fundit, teksa zyrtarët komunalë të zgjedhjeve tentuan t’i hapin zyrat e tyre në këto komuna në përgatitjet për zgjedhjet lokale.
E krejt kjo nuk kaloi pa incidente. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është lënduar mbrëmë rreth orës 23:00 në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit. Policia e Kosovës përmes një komunikate kanë njoftuar se janë sulmuar nga persona të armatosur, derisa ishin në detyrë. Viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se prapa të gjitha tensioneve dhe shkeljeve ligjore që ndodhin në veri të Kosovës, qëndron Qeveria e Serbisë. E njëjta, sipas tij, vlen edhe për sulmet me shok-bomba ndaj Policisë së Kosovës në veri në dy ditët e fundit, në përpjekjet për organizim të zgjedhjeve të parapara lokale për 18 dhjetor në katër komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Mediat serbe raportuan se veri po dërgohen pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për RTV21 tha se nuk qëndrojnë këto pretendime.
“Bëhet fjala vetëm për policinë e rendit, jo për ndonjë njësi tjetër”, tha Kryeziu.
Reagime për situtën në veri pati edhe nga Presidenca e Kosovës.
Shefi i stafit të presidentes së shtetit, Vjosa Osmani, Blerim Vela ka thënë se Serbia nga verimet e fshehta e të dhunshme të strukturave ilegale në Kosovë, po kalon në kërcënim të hapur për të përdorur forcat policore e ushtarake për të kryer agresion në Kosovë.
“Regjimi i Serbisë po kalon nga veprimet e fshehta të dhunshme të strukturave të saj ilegale në Kosovë, në kërcënimin e hapur për të përdorur forcat policore dhe ushtarake për të kryer agresion kundër Kosovës. Sipas parimeve të Rusisë, ky është një kërcënim flagrant për ta rrezikuar paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Vela që është shef i stafit në Presidencë.
Ky reagim pason atë të drejtorit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave të saj të sigurisë në Kosovë. E ky veprim, sipas tij, do të merret në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Kurse, pas shtimit të numrit të policëve në veri pati reagime nga Serbia.Shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se Serbia do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave të saj të sigurisë në Kosovë./21Media

Back to top button