Në një intervistë virtuale në “Today Show”, ylli botëror, J Lo tha se ajo dhe partneri i saj, Alex Rodriguez e shtyen ceremoninë e martesës për shkak të koronavirusit. Lopez tregoi se ata kishin plane të mëdha që martesën ta realizonin gjatë verës në Itali.

“Askush nuk e di”, tha Lopez për datën e dasmës përgjatë intervistës.

“Realisht, s’kemi plane tani. Vetëm duhet të presim dhe të shohim se si po përfundon kjo. Është zhgënjyese në një anë, ju e dini, pas Super Bowl dhe World of Dance, kur i përfunduam xhirimet, mendoja t’i jap vetes pak pushim, kjo që po e bëjmë tani, por në të njejtën kohë… kishim shumë plane për këtë vit, por gjithçka është pezulluar tani”, deklaroi Lopez.

Lopez shtoi se po ndjehet e mërzitur dhe ashtu po mendon se “çfarë do të ndodhë” me dasmën e saj.

“Jam paksa e mërzitur sepse kishim plane të mrekullueshme, por edhe po mendoj, e di çka? Zoti ka plane më të mëdha, kështu që duhet të presim dhe të shohim. Ndoshta do të jetë më mirë. Duhet të besoj se ashtu do të jetë”, deklaroi Lopez.

Një burim i tha US Weekly se ata po planifikojnë të martohen pa ceremoni, në prani të familjarëve dhe miqve të ngushtë, pasi të stabilizohet situata./21Media