FemArt 8 do të mbahet më 15-20 tetor

FemArt 8 do të mbahet më 15-20 tetor

Shkaku i pandemisë Covid-19 që e ka kapluar gjithë globin tokësor, Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis ju informon se festivali FemArt 8 do të shtyhet për datat 15 – 20 tetor, 2020.

“Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon festivalin FemArt për të 8-ën herë radhazi në Prishtinë, Kosovë nga data 15 – 20 Tetor, 2020 ( 6 ditë) me moton “Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!”. FemArt është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës për tetë vite.”, thuhet në njoftim.

Për çdo vit FemArt angazhon mbi dyqind gra artiste dhe aktiviste nga e gjithë bota që shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave, dokumentarëve, leximeve skenike, arteve vizuale, ekspozitave, performancave në rrugë, koncerteve, promovime librash, ligjëratave, poezive, punëtorive, panele diskutimesh, konferenca dhe prezantime, murale dhe shumë forma të tjera arti.

“FemArt – Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon. Programi do të përzgjedhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe të drejtave të njeriut.”, thuhet në njoftim.

U bë e ditur se për aplikimin e pjesëmarrëseve do të njoftoheni me kohë. Njoftimi përfundoi me një urim që sa më shpejt të tejkalohet kjo situatë me COVID-19.

“Urojmë që kjo situatë e shkaktuar nga Covid-19 të kalojë sa më parë me sa më pak viktima përderisa normaliteti të zë vend sërish në punët tona të përditshme. Na lejoni po ashtu përmes kësaj komunikate të ju përgëzojmë edhe ju për punën që e bëni sepse edhe ju, sikurse punëtorët e shëndetësisë dhe të tjerët që janë të domosdoshëm në vendet e punës e sidomos në terren, jeni heronjtë e vitit 2020.”, përfundon njoftimi./21Media