Shtyhet për të tretën herë premiera e filmit të ri të James Bond
22 Janar 2021
Premiera e filmit të ri James Bond u shty për herë të tretë, për shkak të koronavirusit.
Një datë e re për filmin u shpërnda në llogarinë zyrtare të filmit në Twitter të enjten, duke zbuluar se data e fundit e pritshme e publikimit është 8 tetori i vitit 2021.
Filmi “No time to die” (“Nuk ka kohë për të vdekur”) është shtyrë tashmë dy herë. Fillimisht ka qenë e paraparë që filmi të shfaqej në ekranet e kinemave në prill të vitit 2020. Për herë të dytë është shtyrë në tetor.
Filmi është i 25-ti në serinë James Bond dhe shënon paraqitjen e fundit të aktorit Daniel Craig si agjent i shërbimit sekret britanik 007.
Shtyrja e tij do t’i godasë edhe më shumë kinematë botërore që janë detyruar të mbyllen me muaj, për shkak të masave të izolimit kundër pandemisë .
Kujtojmë se filmi i mëparshëm i James Bondit, Spectre, ka gjeneruar gati 900 milionë dollarë fitim në vitin 2015.