Si do të votonte Rama në referendumin për bashkimin kombëtar
Në konferencën e përbashkët në Elbasan, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama kanë folur edhe për “bashkimin kombëtar”.
Rama në konferencë është pyetur se si do të votonte nëse do të bëhej një referendum për bashkimin kombëtar.
Ai fillimisht e ka quajtur provokim pyetjen nga gazetari kosovar, por është përgjigjur se nëse do të bëhej një referendum për bashkimin kombëtar, ai do të votonte hapur “po”.
“Kjo është pyetje apo është “provokacja” sepse unë s’kuptoj. Në rast se më pyesni në hipotezën e një referendumi paqësor për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, unë do bëja një shkelje të Ligjit për fshehtësinë e votës, do votoja hapur “po””, ka thënë Rama.
Megjithatë, me shaka kryeministri Rama u shpreh se a do të ndodhë apo jo. Por, në rolin e “fallxhorit” ai u shpreh se kjo “do të ndodhë”.
“Në rast se më pyesni a do të ndodh kjo apo jo, unë them se do të ndodh. Por se kur nuk e di, por që do të ndodh një ditë, unë them. E atyre që bërtasin për Shqipërinë e madhe, iu them se fallxhorët nuk gjykohen, pasi kjo është një fall”, tha ai në konferencë për medie, pas mbledhjes së përbashkët të qeverive.
Ndërsa, kreu qeveritar i Kosovës, Albin Kurti tha se procesi i bashkimit kombëtar është një proces historik që nuk mund të përcaktohen data dhe mënyra.
“Ka më shumë një mos kuptim se keqkuptim. Te çështja e bashkimit të shqiptarët nuk është gjësend që përzgjedhim por intencë kolektive. Nuk mund të mbivendosim ne mbi procese historike që të përcaktojmë data dhe mënyra”, shtoi ai./21Media