Si e shndërroi opozita Albin Kurtin në faktor të patejkaluesëm ndërkombëtar?

Shkruan: Afrim Kasolli
Fillimi i zbatimit të Ligjit për të huajt, i cili qartazi i privilegjon pjesëtarët e komunitetit serb ne raport me qytetarët e vendeve të tjera, është vetëm episodi i fundit i lehtësisë së jashtëzakonshme që Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti, e tejkalon pa asnjë sfidë të brendshme serioze politike në procesin e dialogut.
Me këtë rast, tërthorazi u bë e ditur se kryeministri Kurti edhe gjatë kohës sa ishte ushtrues detyre i pozitës së shefit të Qeverisë ka negociuar me përfaqësuesit e BE-së, në mënyrë sekrete dhe larg syve të opinionit publik, për këtë temë.
Kurse i njëjti para pak dite deklaroi se nuk bëhet fjalë për asgjë tjetër, pos për zbatim të një ligji të ta para 13 vjetëve.
E është pikërisht ky justifikim, që e vë në pah gjithë kontradiktën e kësaj Qeverie në raport, jo vetëm më këtë temë, por në përgjithësi me atë të procesit të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Në fund të fundit, cili shtet sovran e negocion zbatimin e ligjshmërisë së brendshme me struktura trans-nacionale?
Mirëpo, edhe në këtë rast, opozita,me përjashtim të ndonjë kritike sporadike në rrjetet sociale, nuk u bë e gjallë politikisht, kundër këtij zhvillimi.
Ndërkohë, nuk munguan reagimet mbështetëse ndërkombëtare në adresë të Albin Kuritit, si nga SHBA, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, për gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të qenë konstruktiv në procesin e dialogut.
Madje, shefja e për politikë te jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, nën kompetencat e së cilës zhvillohet ky proces, e quajti këtë akt një hap inkurajues në drejtim të intensifikimit të takimeve të reja bilaterale ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuciq në Bruksel.
Sidoqoftë, është pikërisht kjo indolencë pasive e partive opozitare e cila në fund të fundit nuk i lë asnjë shteg tjetër edhe komunitetit ndërkombëtar, pos që ta trajtojë, Albin Kurtin si partner të domosdoshëm në procesin e dialogut.
Dhe si e tillë ajo dallon rrënjësisht nga qëndrimi që kishte mbajtur Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket procesit të dialogut.
Kjo e fundit, asnjëherë nuk ka qenë kundër këtij procesi në vetvete, por ajo është angazhuar që duke e kundërshtuar me të gjitha mjetet atë, ta bëjë të padobishëm rolin e ish liderëve politikë, për BE-në dhe SHBA-të.
Pra derisa ata bënin kompromise në Bruksel, por nuk mund t’i zbatonin të njëjtat brenda atëherë diskreditohej roli dhe pesha e tyre diplomatike para partnerëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë, opozita e sotme ka ndjekur një qasje tjetër.
Duke marrë për shkas këtë kundërshtim opozitar të Albin Kurtit, ajo ka besuar se i njëjti do të rezistojë edhe nga pozita e pushtetit në raport me këto detyrime duke e humbur kështu çdo relevancë.
Apo nëse i zbaton ato do ta humb përkrahjen e brendshme popullore, për shkak të besatimit të tij elektoral se nuk do të negocioi me Serbinë pa na njohur kjo e fundit etj etj.
Prandaj, subjekteve opozitare nuk u mbetet asgjë tjetër pos të vëzhgojnë nga një distancë “teorike” derisa te piqen kushtet objektive që ajo të rikthehet në pushtet.
Kjo edhe është arsyeja që vetëm Albin Kurti ia doli që t’ia transferojë 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, pa asnjë telashe të brendshme shoqërore, vendim ky që nuk kishin guxuar ta zbatonin asnjë nga kryeministrat paraprakë.
Ky dhe shembuj të tjerë tregojnë se pse Albin Kurti sot shihet si partneri më i dobishëm për diplomacinë perëndimore, sepse me të kanë mundësi t’i përfundojnë detyrimet e dialogut pa asnjë rezistencë të brendshme shoqërore dhe politike.(finished the job).
Dhe një status të tillë ai e gëzon pikërisht edhe nga qasja e sipër cekur iluzore e opozitës.
Në këtë drejtim konkurrenca e vetme kohën e fundit i erdhi nga presidentja Vjosa Osmani, por që mos rikandimin e saj për mandatin e dytë, e ka përçuar hapur mesazhin se i vetmi burim i pushtetit në Kosovë është kryeministri Kurti dhe askush tjetër.