Si ndikon neglizhenca emocionale e fëmijërisë në uljen e kujtimeve, përvojave dhe ndjenjave?

Neglizhenca emocionale, distanca dhe mungesa e kontaktit emocional, verbal dhe fizik me fëmijën, shkaktojnë mbyllje, distancim dhe ftohje emocionale.
Psikoterapeuti Yll Avdijaj, në një intervistë për rtv21.tv ka treguar se si ndikon neglizhenca emocionale e fëmijërisë në uljen e kujtimeve, përvojave dhe ndjenjave.
Ai ka thënë se mënyra se si do të zhvillohet aspekti emocional te fëmijët shumë do të varet nga modeli i llojit të prindërimit.
Roli i prindit në këtë rast është shumë vendimtar, sipas Avdijajt, pasi që mënyra se si do të qasen ndaj fëmijës do të jep edhe rezultatet përkatëse.
“Kur flitet për aspektin emocional të fëmijës, duhet ditur se vitet e para, përfshirë periudhën e paralindjes, foshnjërinë e deri në vitin e tretë të fëmijës, ndodhë një zhvillim i vrullshëm në aspektin emocional. Në këtë rast, nëse fëmija nuk arrin që të përmbushet, të fitoj ndjenjën e sigurisë, besimit dhe dashurisë, fillimisht nga nëna e pastaj edhe nga babai, atëherë sigurisht se te fëmija do të krijohen boshllëqe ndjenjash si: frikë, dyshim dhe pasiguri. Neglizhenca emocionale, distanca dhe mungesa e kontaktit emocional, verbal dhe fizik me fëmijën, sigurisht që te fëmija do të shkaktojë mbyllje, distancim dhe ftohje emocionale”, ka thënë Avdijaj për rtv21.tv
Përveç prindërve, psikoterapeuti ka theksuar se në këtë proces zhvillimi luajnë rol edhe anëtarët e tjerë të familjes dhe shoqërisë, e po ashtu nuk përjashtohen edhe ngjarjet dhe rrethanat të cilat ndonjëherë mund të jenë edhe përvoja traumatike, gjë që lënë gjurmë në zhvillimin e karakterit dhe të personalitetit të fëmijës në të ardhmen.
Tutje, Avdijaj ka thënë se pjesa më kritike e neglizhencës emocionale ndodhë gjatë periudhës së fëmijërisë, andaj sipas tij, për këtë gjë është shumë me rëndësi që prindërit të jenë më të informuar dhe të kenë një vetëdije më të lartë për mënyrën se si duhet kujdesur për fëmijët dhe mënyrën se si të qasen më mirë ndaj tyre, në mënyrë që të parandalojnë një dëm të mundshëm që mund t’i bëhet fëmijës në këtë rast, qoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme.
“Në rastet kur kemi të bëjmë me ndonjë person të rritur, mirëpo i cili vuan nga neglizhenca emocionale që ka pasur në fëmijëri, atëherë mënyra më e mirë për ta marrë veten është t’i nënshtrohet një procesi trajtimi psikoterapeutik, ku do të ketë mundësi që t’i trajtojë të gjitha problemet dhe vështirësitë aktuale dhe ato të fëmijërisë në mënyrë që të arrijë vetëdijen e plotë, ekuilibrin dhe menaxhimin me veten e tij”, ka përfunduar psikoterapeuti Avdijaj./21Media

Back to top button