Sot organizata ”Gift of Life Kosova” dhe mjekët e saj kanë mbështetur financiarisht 30 fëmijë kosovarë, të cilët kanë probleme me zemër dhe do të trajtohen nga një ekip mjekësh amerikanë, italianë dhe kosovarë.

Lidhur me këtë, Pesidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministrin e shëndetësisë, Arben Vitia i kanë uruar mirëseardhje stafit të kësaj organizate.

”Humanizmi i kësaj organizate dhe i mjekëve është dhuratë jo vetëm për fëmijët, por edhe për familjet e tyre, si dhe për shtetin e Kosovës. Falenderime të pafund për dr. Francesko Santoro, Herbet Stern, dr.Ribera Santorno, z. Rob Reylman, drejtor i GOL, dr. Mazllum Belegu si dhe për stafin mjekësor vendor të udhëhequr nga dr. Bejiqi”, ka shkruar Osmani në facebook.

Pjesë e organizatës sot ishte edhe Bleona, e cila ndihmonte në përkthim dhe ishte njëra nga fëmijët, të cilës kohë më parë mjekët e ”Gift of Life” i kanë dhuruar jetëgjatësinë.

Ndryshe, ky është misioni i parë i kësaj organizate, që nga fillimi i pandemisë, por deri më tani kjo organizatë ka kryer pesë misione të tilla, në të cilat janë trajtuar qindra fëmijë kosovarë./21Media