Sinani: Komuna e Preshevës nuk po qeveriset, por po zhvatet

Këshilltarja e Kurti dhe njëherësh ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka kritikuar qeverisjen aktuale në këtë komunë.
Ajo tha se kjo komunë nuk po qeveriset, por po zhvatet nga individët që e kanë kapur institucionin përmes kontrabandimit dhe korruptimit.
“Kjo u pa edhe sot. Në seancën e Kuvendit Komunal. U mbajt në limitet e afatit ligjor. Se Komuna e Preshevës është realisht edhe pa Kuvend Komunal. Për herë të parë votohet brenda një seance edhe Rebalansi i Buxhetit edhe Buxheti. Komuna e Preshevës është realisht pa kryetar Komune. Që sot nuk foli as për Rebalans të Buxhetit”, tha ajo.
Tutje, Sinani tha se kryetari i kësaj komune, Shqipërim Arifi në vend se të prezantonte buxhetin, ai sipas saj, linçoi, denigroi, ofendoi dhe shpifi.
“Iku. U fsheh. Nuk fliste se ku ka vendosur t’i shpenzojë paratë e qytetarëve. E sidomos për çka. Në pikën ku sipas Rregullores do të duhej të prezantonte buxhetin, ai linçoi, denigroi, ofendoi dhe shpifi. Kjo ishte strategjia. E natyrisht se e ndihmoi kryetari i Kuvendit. Me metoda selektive dhe me tolerim të gjuhës së urrejtjes, Sami Salihu u ridëshmua si patericë e shefit të tij të vërtetë. Shërbëtor i Shqiprim Arifit”, tha Sinani.
Për fund, Sinani tha se komuna e Preshevës ka nevojë urgjente për institucione demokratike qeverisëse në shërbim të interesit të përgjithshëm.
“Një qeverisje që bashkë me qytetarët planifikon buxhetin komunal. Që ju tregon ku do investohen paratë e tyre dhe sidomos që nuk keqpërdoren. Këtë nuk e bën ky pushtet i kontrabandimit. Ky pushtet i zhvatjes. U pa sot. Përsëri”./21Media

Back to top button