Sindikatat e arsimit dhe shëndetësisë sot kanë vizituar Partinë Demokratike të Kosovës për t’i kërkuar “vazhdimin e politikave në të mirë të qytetarëve dhe shtetit”.

Me përfaqqësuesit e këtyre sindikatave është takuar kandidati i kësaj partie për kryeministër, Enver Hoxhaj, sekretari Uran Ismaili dhe anëtari i kryesisë, Bedri Hamza.

Në komunikatën e dërguar për media bëhet e ditur, se takimi ka qenë kërkesë e sindikatave dhe profesionistëve shëndetësorë. Sipas komunikatës, ata kanë kërkuar “nga kryetari Hoxhaj që të vazhdojë politikat në të mirë të qytetarëve dhe shtetit edhe në proceset tjera në vazhdim – siç është votimi i Buxhetit”.

Takimi i PDK-së me këto sindikata vjen në kohën kur vendi po hyn në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet të cilat u vendos të mbahen përmes aktgjykimit me të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi për formimin e Qeverisë Hoti, duke e rrëzuar këtë qeveri.

“Kryetari në Detyrë, Enver Hoxhaj ka falënderuar udhëheqësit e këtyre sindikatave dhe odave për vizitën dhe bashkëpunimin e tyre profesional që kanë pasur gjithmonë me PDK-në. Me këtë rast, kryetari Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, ashtu siç e ka dëshmuar historikisht, do të vazhdojë edhe më tej politikat konstruktive në të mirë të shtetit dhe qytetarëve”, përfundon komunikata e PDK-së./21Media