Kurti i njoftoi ambasadorët mbi situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19

Kurti i njoftoi ambasadorët mbi situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, sot gjatë ditës ka mbajtur tri takime të ndara me ambasadorë të korit diplomatik në Republikën e Kosovës.

Fillimisht ai u takua me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, Christian Heldt, ambasadoren e Francës,  Marie-Chrisitine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe Përfaqësuesen e Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Më pas, në një takim të përbashkët pritën ambasadorin e Austrisë,  Christoph Weidinger, shefin e zyrës diplomatike të Belgjikës, Jean-Louis Servais, ambasadoren e Finlandës, Pia Stjernvall, ambasadoren e Holandës, Garrie Willems, ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndah dhe ambasadorin e Zvicrës, Jean-Hubert Lebet.

Në fund, Kurti dhe Bislimi pritën edhe ambasadorin e Bullgarisë, Hristo Gudjev, ambasadoren e Kroacisë, Danijela Barišić, ambasadorin e Republikës Çeke, Pavel Bílek dhe ambasadorin e Turqisë, Çağrı Şakar.

Në këto tre takime, Kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19 dhe masat e ndërmarra deri më tani nga Qeveria. “Theks i veçantë u vë mbi pakon fiskale emergjente të hartuar nga Qeveria në detyrë”.

Ambasadorët dhanë vlerësimet e tyre pozitive për punën e Qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ballafaqimin me pandeminë COVID 19, dhe në të njëjtën kohë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në çfarëdo forme.

Kurti shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që komuniteti ndërkombëtarë po i jep Kosovës për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj sfide të përbashkët./21Media