Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duke folur për gjendjen me Covid-19, ka thënë se në dy javët e fundit, si rezultat i masave të vendosura, është arritur të ulen rastet aktive për rreth 15%, derisa ka shtuar se situata mbetet ende e rëndë dhe janë të detyruar të mbajnë masat.

Sipas tij, institucionet shëndetësore do të mbesin të mobilizuara. Ndërsa, ka njoftuar se po përgatisin skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve.

Hoti ka shkruar në “Facebook” se numri i pacientëve është 874, të shtrirë nëpër klinika në Prishtinë dhe në spitale rajonale. Kurse, duke u ndalur te gjendja nëpër shkolla, ka shkruar se të dhënat tregojnë se nga rreth 11 mijë arsimtarë që janë testuar, 15% kanë rezultuar pozitiv, ndërkaq nga rreth 7 mijë nxënës të testuar 17% kanë rezultuar pozitiv.

Kjo sipas tij, është arsyeja e vendimit të Qeverisë për të mbyllur shkollat më 18 dhjetor.

Hoti ka thënë po ashtu se po punohet në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19.

“Po punojmë shumë në sigurimin e vaksinës. Jemi pjesë e koalicionit COVAX dhe presim të marrim vaksina për 20% të popullsisë. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to. IKSHP po punon në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komuna. Instituti ka bërë gati planin e vaksinimit, duke vendosur me prioritet të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike, krahas punëtorëve shëndetësorë të cilët janë në ballë të kësaj beteje”, ka shkruar tutje Hoti.

E sa i përket gjendjes në spitale, Hoti ka pranuar se “ka probleme teknike me shtretër të mjaftueshëm dhe adekuat, apo me furnizim të plotë me barna, ose vështirësi në furnizim me oksigjen”. Megjithatë, sipas tij, janë të pavend dhe të papranueshme kritikat ndaj stafit shëndetësor në gjithë vendin.

“Pavarësisht kësaj situate, SHSKUK po bënë të pamundurën për të ofruar shërbimet bazike shëndetësore. Sipas të dhënave, vetëm deri në shtator janë trajtuar 93 mijë pacientë të shtrirë në spitale, janë kryer 21 mijë operacione, janë ofruar 726 mijë vizita ambulatore, janë kryer 2.1 milion shërbime laboratorike, janë kryer 195 mijë shërbime radiologjike, janë kryer 90 mijë shërbime të dializës dhe plotë shërbime të tjera”, ka thënë Hoti.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se do të monitorojnë situatën dhe do të mbikëqyrin zbatimin e masave./21Media