Sipas Hotit,rrëzimi i Qeverisë do të ngadalësojë proceset ekonomike në vend

Sipas Hotit,rrëzimi i Qeverisë do të ngadalësojë proceset ekonomike në vend

Rrëzimi i Qeverisë dhe zvarritja e implementimit të pakos fiskale 2 që ishte premtuar në janar dhe asnjëherë nuk u bë e ditur në tërësi se si do të duket, është duke vazhduar ta dëmtojë rëndë ekonominë e vendit, e cila edhe ashtu është në nivelin më të ultë në rajon.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një intervistë për KosovaPress u shpreh se në mënyrë të pakontestueshme pakoja fiskale 1 ka pasur përmirësim sa i përket krijimit të bizneseve, ndërkohë që përgatitjet për zbatimin e pakos fiskale 2, edhe pse janë finalizuar do të shtyhen deri në themelimin e Qeverisë së re.

“Po ne kemi bërë të gjitha përgatitjet për ta zbatuar pakon fiskale 2. Mua më vjen keq që do të shtyhet për disa javë ose muaj, deri sa të themelohen edhe një herë institucionet e vendit pas zgjedhjeve të 11 qershorit”, tha ai.

Ndërkohë që  rrëzimi i Qeverisë, sipas tij, do të ngadalësojë proceset ekonomike në vend, por shpreson në krijimin e shpejt të një Qeverie të re, në mënyrë që të tejkalohen këto probleme.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka treguar se mund të ketë ngecje në zhvillimin ekonomik sipas gjendjes aktuale politike, por kjo është koha kur duhet të ndahet ekonomia nga politika dhe se pushteti duhet të jetë në funksion të forcimit të shtetit dhe jo gjithmonë të mbrohen interesat në fusha të partive politike.

Pronari i fabrikës së përpunimit të mishit “Meka”, Burim Piraj tregon se rrëzimi i Qeverisë po ka ndikim të drejtpërdrejtë në bizneset vendore, veçanërisht mosfunksionalizimi i pakos fiskale 2.

Piraj u shpreh se çdo vonese mund të jetë e dëmshme për bizneset vendore.

Pakoja fiskale 2 e cila nuk është prezantuar asnjëherë në tërësi, është thënë nga Qeveria se përmban masat më të rëndësishme për fuqizimin e kompanive vendore për të krijuar biznese dhe është konsideruar si opsioni më ideal për zhvillimin e ekonomisë së tanishme./21Media