Shtetet e Bashkuara për të tretën herë brenda javës së fundit kanë regjistruar numër rekord të të infektuarve brenda 24 orëve.

Së fundmi ata kanë lajmëruar për 183 mijë të infektuar brenda kësaj periudhe, teksa numri i personave të vdekur ishte rreth 1400.

Mbi 11 milionë ka arritur numri i personave të infektuar në vendin më të prekur në botë, teksa të vdekur raportohen rreth 250 mijë.

Edhe shtetet Evropiane kanë raportuar numra frikësues. Franca ka regjistruar gati 1 mijë viktima për 24 orë, duke rritur numrin e të vdeurve në gati 44 mijë.

Italia ka raportuar për 550 viktima gjatë 24 orëve, me mbi 40 mijë raste të reja të infektimeve. Spanja ka regjistruar rreth 300 viktima.

Edhe Gjermania që gjatë gjithë kohës ka qenë me numra më të ulët se vendet tjera evropiane ka regjistruar gati 230 viktima të reja.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka përshëndetur progresin e shpejtë drejt zbulimit të vaksinës për luftimin e COVID-19, por të premten ai insistoi se çdo vend duhet të përfitojë.

“Vaksina do të jetë mjet kryesor për kontrollimin e pandemisë dhe ne jemi të inkurajuar nga rezultatet paraprake të testeve klinike që u publikuan këtë javë”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, në mbyllje të punimeve të Asamblesë vjetore të OBSH-së.

Gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer dhe partneri i tyre gjerman BioNTech njoftuan të hënën se testimi i vaksinës së tyre ka rezultuar 90% efektiv në fazën finale, ku janë përfshirë më shumë se 40 mijë njerëz.

“Asnjëherë në histori nuk ka ndodhur që një vaksinë të zhvillohet kaq shpejt. Ne duhet të zbatojmë të njëjtën urgjencë që të sigurohemi se të gjitha shtetet përfitojnë nga kjo arritje shkencore”, ka thënë Tedros.

Gjasat që një infeksion me koronavirus të rezultojë fatal kanë rënë me gati një të tretën që nga prilli për shkak të trajtimit të përmirësuar, thanë të enjten studiuesit në Institutin e Universitetit të Uashingtonit për Matjet dhe Vlerësimin e Shëndetit./21Media