Në thellësi të Malit të Thatë, në pjesën e Dërvenit të Pollogut, ndodhet fshati Llukovicë. Është vetëm një rrugë që të çon drejt këtij fshati edhe atë duke kaluar përmes fshatrave Grupçin, Merovë dhe Sallarevë.

Por, në rrugët e ngushta të malit, gjegjësisht në kilometrin e 11 mbaron asfalti dhe deri në Llukovicë rruga është e pa asfaltuar.

Në fshatin Llukovicë të komunës së Zhelinës (Maqedoni e Veriut) për momentin jetojnë vetëm 20 banorë, ndërsa sipas banorëve si shkak për zbrazjen e fshatit është edhe mos asfaltimi i rrugës

Drakço Pandovski është një prej banorëve të përhershëm të këtij fshati. Ai tha se në Llukovicë ka vetëm pesë shtëpi banuese, ndërsa në objektin e shkollës fillore tani më e disa vite nuk ka asnjë nxënës dhe e njëjta është mbyllur.

“Rrugën e shihni edhe vetë si është, katastrofë. Kemi kërkuar nga komuna e Zhelinës dhe ata na kërkuan projekt dhe tani jemi duke grumbulluar para për projektin dhe do ta dorëzojmë, por kush do ta bëjë rrugën do të shohim, tani mbledhim nënshkrime që të mbledhim para. Nuk jemi shumë, jemi katër – pesë shtëpi, ndërsa gjatë verës ka shumë, të gjithë me vikend shtëpiza janë këtu. Shkollën e rregulluam, tani për tani nuk ka fëmijë, kishte tre katër fëmijë dhe komshiu im i dërgoi në Bërvenicë për shkak të rrugës së keqe”, tha Drakço Pandovski – banor.

Edhe Dimitari Dimitrievski u ankua për rrugën dhe tha se askush deri më tani nuk është kujtuar që ta rregullojë.

“Në vikend ka më shumë banorë, ndërsa jemi rreth 20 banorë që qëndrojmë çdo herë këtu, rrugën e kemi katastrofë, katër vetura i kam dëmtuar”, theksoi Dimitar Dimitrievski – banor.

Mile Siminovski, kryetar i bashkësisë lokale të Llukovicës sqaroi për iniciativën e rregullimit të rrugës.

“Problemi i deritanishëm, por edhe më tutje besoj se do ngelet rruga e paasfaltuar, me një gjatësi 5495 metra ose pesë kilometra e gjysmë. Me komunën e Zhelinës kemi pasur disa kontakte dhe kontakti i fundit më dy tetor doli negativ, ishte decid se para nuk ka për të dhënë, nuk ka para të mjaftueshme dhe nuk jep për projektin. Ngelet që ne, edhe pse dy herë deri më tani kemi bërë projekt, të bëjmë edhe një projekt të ri”, u shpreh Mile Simonovski – Kryetar i Bashkësisë Lokale.

Nga komuna e Zhelinës kërkuam përgjigje se a ka ndonjë projekt apo iniciativë për rrugën e fshatit Llukovicë, por zëdhënësi i kësaj komune edhe pse na premtoi se do të japë deklaratë, deri tani nuk është u prononcua, raporton TV21./21Media