S’ka konsensus rreth përmbajtjes së draft-statutit të Asociacionit

Ndonëse ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Morolsav Lajçak u ka dërguar ditë më  parë të gjitha partive opozitare në Kosovës një kopje të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Qeveria ende zyrtarisht nuk e ka shpalosur atë. Rrjedhimisht Qeveria nuk ka treguar as kur do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese përmbajtja e tij për interpretim. Ndërkohë partitë opozitare, kanë shprehur shqetësim për përmbajtjen e draftit.

‘’Kemi vërejtjet tona për draft-statutin e asociacionit, por jemi duke pritur qëndrimin e Qeverisë e cila e ka përgjegjësinë që të negocioj për këtë. Drafti duhet të shkoj në Gjykatë Kushtetuese”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj

Përmes një përgjigje me shkrim për RTV21 nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, e ka shprehur shqetësimin se përmbajtja e draft-statutit të Asociacionit mund të krijojë një pushtet të tretë brenda Kosovës.

“Më së paku, mund të flasim për ndarje të brendshme, ne dhe ata, në një Kosovë në parime të njëjta të multietnicitetit, të territorit, të sovranitetit. Në fakt, po krijohet pushteti i tretë në këtë rrafsh si lexim i parë. Si lexim në implementim kur të bëhet akti i kryer, janë disa çështje që Kosovës mund t’ia pasqyrojë një Kosove të vogël serbe brenda territorit tonë. Si do ta quajnë të tjerët, mund të vërehet një lloj konfederate”.
Pretendimet e opozitës se përmbajtja e draft-statutit të asociacionit mund të krijojë kompetenca ekzekutive i mohon deputeti i VV-së, Driton Hyseni. Sipas tij, nuk pranohet asgjë që lejon krijimin e një pushteti shtesë brenda Kosovës.”, tha Haziri.

‘’Në asnjë mënyrë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk e ka askush luksin që të pranoj diçka që tejkalon kushtetutën e vendit. Konsideroj që të sigurojë të gjithë qytetarët se jemi këtu për të mbrojtur cdo planë që i bënë dëm vendit”., Driton Hyseni nga Vetëvendosje për RTV21.

Kryeministri Kurti pati deklaruar se nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit ku bënë pjesë edhe Asociacioni pa nënshkrimin e marrëveshjes nga Serbia. Së fundmi  Këshilli Evropian ka paralajmëruar se do t’i kërkojë Komisionit Evropian që të paraqesë urgjentisht një propozim për ndryshime dhe plotësime në kritereve nga Kapitulli 35 në negociatat për anëtarësim të Serbisë me BE, i cili do të përfshinte Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin për zbatimin e saj në këtë kapitull negociues me Serbinë.

Sipas njohësit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, ky është sinjal i qartë se BE-ja ka shtrënguar masat ndaj Serbisë duke e kushtëzuar anëtarësimin e saj me zbatimin e  marrëveshjes me Kosovën.

‘’Unioni Evropian ka kaluar në raport me Serbinë nga lutjet në ultimatume që nëse dëshiron ti bashkohet BE-së në të ardhmen duhet ti zbatojë marrëveshjet me Kosovën”, tha Sadiku.

BE-ja nuk ka dhënë sinjale nëse gjatë këtij muaji mund të ftohen palët për vazhdimin e bisedimeve në Bruksel./21Media

Back to top button