Kuvendi i Kosovës në mungesë të kuorumit ka dështuar që të miratojë Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së, ku për këtë ligj kanë votuar vetëm 32 deputetë.

Mungesa e deputetëve të Listës Serbe, ka bërë që edhe votimi i Projektligjit për Liritë Fetare në Kosovë të shtyhet për një mbledhje të radhës.

Nënkryetarja e Kuvendit Arbërie Nagavci, nuk e ka hedhur fare në votim këtë pikë, duke qenë se në seancë po mungonin deputetët e Listës Serbe.

“Sipas nenit 81 amendamenti i 2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për miratimin, ndryshimin ose shfuqizimin e ligjeve me interes vital kërkohet vota e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe të shummicës së deputetëve të Kuvendit të cilët mbajnë vendet e garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë. Pra, nevojiten së paku 61 vota për, përfshirë këtu edhe të paktën 11 vota për të komuniteteve që nuk janë shumicë. Nuk kemi 10 deputetët e Listës Serbe të pranishëm kështu që rrjedhimisht nuk mund të arrihet numri prej 11 votave të komuniteteve andaj nuk mund ta vendosi në votim as këtë pikë”, tha ajo.

Në mungesë të kuorumit për mbledhje të radhës është shtyrë edhe votimi i Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës.