Një grua që deklaronte se kishte marrë qindra e mijëra euro nga një kardinal me pozitë të lartë në Vatikan për të drejtuar misione sekrete zbulimi dhe humanitare për Selinë e Shenjtë në Afrikë e Azi, është arrestuar nga policia financiare italiane.

39-vjeçarja Cecilia Marogna, u arrestua të martën në mbrëmje në Milano, pas një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar ndaj saj nga Selia e Shenjtë. Ky urdhër arresti ndërkombëtar besohet të jetë i pari i lëshuar nga Sekretariati i Shtetit i Vatikanit nëpërmjet Interpolit.

Skandali përfshin përvetësimin e rreth 500 mijë eurove që nga llogaritë e Vatikanit shkuan në xhepat e 39-vjeçares Marogna, personi i besuar i ish-numrit dy të Sekretariatit të Shtetit, kardinalit Giovanni Angelo Becciu, tani i shkarkuar nga Papa Françesku.

Guardia di Finanza beson se me paratë e Selisë së Shenjtë u blenë çanta, këpucë, pajisje luksoze dhe mobilie të shtrenjta.

Më herët këtë muaj, Marogna i tha gazetës “Domani” se ishte punësuar për të krijuar “një rrjet diplomatik të nivelit të lartë për marrëdhëniet e Selisë së Shenjtë” në Afrikë.

Hollësitë e transfertave ndaj Marogna-s dolën në dritë pasi Papa Françesku shkarkoi njeriun më të fuqishëm të Vatikanit, kardinalin Giovanni Angelo Becciu, që drejtoi Sekretariatin e Financave nga viti 2011 deri në vitin 2018. Largimi i tij erdhi pas akuzave për përvetësimin e fondeve të Selisë së Shenjtë.

Me herët këtë vit, Vatikani ngrti akuza ndaj një biznesmeni për rolin e tij në përvetësimin e fondeve të Selisë së Shenjtë dhe ndihmën e dhënë ndaj një grupi të sekretariatit të Vatikanit për të blerë pasuri të patundshme luksoze në Londër, një operacion financiar që mbikëqyrej nga kardinali Becciu.

Policia e Selisë së Shenjtë ka kryer disa kontrolle në zyra dhe rezidencat brenda Vatikanit dhe deri tani mësohet se disa punonjës janë pezulluar pasi hetimet vazhdojnë.

Vetë kardinali Becciu mohoi të ketë gabuar dhe i quajti sureale akuzat për keqpërdorimin e fondeve të Vatikanit. Ai pranoi autorizimin e kalimit të fondeve për zonjën Marogna./oranews