Me mesazhin për paqe, solidaritet, dashuri ndaj të tjerëve dhe Zotit, në katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë, është mbajtur mesha për Ditën e Krishtlindjes.

Kremtimi i kësaj meshe nisi me lexime të Biblës, ndërsa u drejtua nga mons Don Lush Gjergji, i cili tha se Zoti ka zgjedhur popullin tonë ilir, arbëror dhe shqiptar që të jemi bijtë dhe bijat e dritës, duke shtuar se këtu e kemi gjakun e shenjtëreshës sonë, Nënës Terezë, një gjak i cili flet, thërret dhe dëshmon se sa dhe si duhet ta duam Zotin.

“Sot pra është solidariteti i qiellit me tokën, sot është solidariteti i Zotit me njeriun në këtë kohë të errët të pandemisë, të mendojmë siç tha edhe Papa Franqesku, më e fuqishme është drita e Zotit se terri i njeriut dhe i njerizimit, më e fuqishme është nisa tek Zoti se sa kërcënimet dhe rrezikimet e ndryshme“, tha Gjergji.

Ai përmendi edhe thëniet e Nënës Terezë, “kur nuk ke asgjë, ti dhuron gjithçka sepse e dhuron vetveten”, duke thënë se do të duhej të jetë mesazh e porosi për të gjithë ne.

“Dhashtë Zoti që në këto rrethana të na vetëdijesojnë, të na prekin shpirtin, ndërgjegjen tonë njerëzore, shqiptare, arbërore, ilire, që ta kuptojmë se sa të mëdhenj, se sa të rëndësishëm, se sa të dashur jemi për Zotin. E atëherë kush jam unë, kush je ti , kush jemi ne që ta përmirësojmë Zotin dhe t’i themi unë nuk e dua, unë e përjashtojë e deri unë e urrej urrejtja. Urrejtja është djallëzore, dashuria dhe falja është hyjnore”, tha Gjergji.

Gjergji shtoi se duhet ta duamë, ta nderojmë dhe ta përkrahim njëri tjetrin dhe për të mirën e përbashkët.