Pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj sonte mban koncert në Prizren

Pianistja Artemida Qarri-Haxhiaj sonte mban koncert në Prizren

Koncerti recital i pianistes kosovare Artemida Qarri-Haxhiaj i cili do mbahet sonte nga ora 19:00 në Prizren, do të përmbyll mini-turneun e artistes nëpër Kosovë
Qarri-Haxhiaj do të paraqitet para publikut të Prizrenit në sallën e shkollës së muzikës “Lorenc Antoni” derisa do të interpretojë vepra nga Scarlatti, Schumann, Rachmaninoff dhe Ibrahimi.
Ky koncert organizohet pas atyre të mbajtura në Gjakovë e Prishtinë në kuadër të edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM ndërsa është përkrahur nga shkolla e muzikës “Lorenc Antoni”.

Artemida dallohet si pianiste solistike me një karakter virtuoz. Pjesëmarrëse e rregullt në festivalet e muzikës klasike ne vend. Ka pasur bashkëpunime edhe me Korin e Filharmonisë së Kosovës në drejtim të dirigjentit Rafet Rudi. Prej vitesh dhe aktualisht është prof. e rregullt në shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” të kryeqytetit si dhe bashkëpunëtore në Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor në Prishtinë.

Qarri – Haxhiaj së shpejti do të paraqitet edhe me dy koncerte të tjera në Tiranë dhe Durrës./21Media