Sonte do të ndahen çmimet e filmave fitues të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar “ANIBAR”. Ngjarja do të transmetohet në orën 19:45 live në facebook të Anibar-it.

Përmes një komunikate për media, nga festivali informuan se “edhepse shpërblimet do të ndahen sonte, platforma e Anibar, online.anibar.org do të jetë aktive edhe javën që vjen”.

Po ashtu, u theksua se në ceremoninë e ndarjes së cmimeve do të shfaqen edhe filmat e krijuar në punëtoritë e animacionit dhe se edicioni i 11-të i është mbajtur online, për shkak të situatës me COVID-19 në vendin tonë.

“Përveç paneleve, prezantimeve, punëtorive për fëmijë dhe masterklasave për të rinjtë, ANIBAR-i në këtë edicion ka sjellur edhe platformën online me afro 150 filma të metrazhit të shkurtë dhe të gjatë.  Të gjithë këta filma janë të ndarë në kategoritë përkatëse dhe platforma do të jetë e qasshme deri më 30 gusht 2020.  Anibar ju fton që të vazhdoni t’i shihni filmat në platformën tonë online.anibar.org.”, u bë e ditur në komunikatën e festivalit “ANIBAR”./21Media