Në nderim të këngëtares tashmë të ndjerë

Në nderim të këngëtares tashmë të ndjerë

Sonte nga ora 20:15 deri në 20:30, në të gjithë Prishtinën do të dëgjohet muzika e këngëtares tashmë të ndjerë, Violeta Rexhepagiqi. Në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën shqiptare, në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet do të lëshohen këngët e saj.

Kështu ka njoftuar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një njoftimi në Facebook.

“Sot ka ndërruar jetë një ikonë e Prishtinës, Violeta Rexhepagiqi. Si fëmijë e kam njohur e takuar disa herë. Këngët e saj e të Armendit kanë qenë avangarde. Si gjithmonë, duke shkuar vitet e muzika e saj duke u pëlqyer edhe më shumë. Sot nuk mund të ja themi lamtumirën që e meritonte edhe me mbledhje komemorative edhe me pjesëmarrje në varrim  Por mund ta kujtojmë i gjithë qyteti, sepse prej orës 20:15 – 20:30, nga stadiumi i qytetit do të lëshojmë këngë të saj në shenjë respekti për kontributin e saj për kulturën tonë.”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Këngëtarja, kompozitorja dhe gazetarja e njohur shqiptare, Violeta Rexhepagiqi ka vdekur sot. E njëjta, e cila njëherësh është edhe motra e Armend Regjepagiqit, do të mbahet mend për kontributin e madh që ka dhënë në fushën e gazetarisë, posaqërisht për ngjarjet dhe torturat e burgosjet që ndodhnin në Kosovën e para luftës./21Media