Aktorët Njomza Tmava, Qëndresa Jashari, Blerta Gubetini, Allmir Suhadolli, Florieta Bajraktari dhe Dora Xhemajli do të ngjiten sonte në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës për të shfaqur premierën e “Rinoqeronti”, duke filluar nga ora 20:00.  

Shfaqja ‘Rinoqeronti’ e Eugene Ionesco, është me regji dhe adaptim të Gëzim Hasanit. 

TKK-ja përmes një njoftimi ka bërë të ditur se shfaqja “Rinoqeronti” vjen si thirrje për shoqërinë e hutuar në banalitet dhe apati ndaj problemeve esenciale njerëzore, që banalizohet deri në absurditet, ku nëpërmjet ironisë dhe humorit tenton të sjellë frymë dhe shpresë te shikuesi/vepruesi. 

Kjo vjen në kohën e duhur, ku vet shikuesi kosovar ka dilema të ngjashme me simbolikat e shfaqjes, që e bën këtë tematikë të njohur dhe të përditshme për gjithsecilin që është i gatshëm të pranojë përgjegjësinë ndaj vet jetës së tij/saj. Shfaqja ngrihet si aktakuzë e fuqishme ndaj çdo fenomeni negativ të Kosovës së pasluftës, ku atakohen të gjithë ata që zgjodhen formën më të shpejtë të arritjes së qëllimit, që sipas vet shfaqjes i shtyn në ç’ njerzim, ose shndërrim në (kafshë/rinoqeront), nëse i referohemi botës së shfaqjes”, thuhet në njoftimin e TKK-së për shfaqjen.