​Dëshmitari pretendon se babai i tij u keqtrajtua nga Pjetër Shala

Dëshmitari i parë i prokurorisë, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, është një dëshmitar i mbrojtur i cili pretendon se i akuzuari e kishte mbajtur babain e tij në një fabrikë metali në Kukës dhe kishte ushtruar dhunë ndaj tij.

Fillimisht dëshmitari i mbrojtur ka thënë se, në maj të vitit 1998, disa persona kishin shkuar në shtëpinë e tij me kërkesën për dorëzimin e armëve.

Ai pretendon se në mesin e tyre ka qenë edhe Pjetër Shala. Këtë ka thënë se nuk e kishte parë vet por e kishte mësuar nga babai dhe fqinjët.

Sipas tij, disa prej atyre personave ishin me uniformë që mbante emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa të tjerë në rroba civile.

“Ata dy që kanë qenë në oborr kanë qenë me emblema, kurse ata të tjerët që kanë qenë të gardhi i shtëpisë nuk kam mundur me i identifikua, largësia ka qenë 20 deri në 25 metra. Ka qenë shenja e UÇK-së. Babain e kemi mbyllur në dhomë për mos me ardh deri te më e keqja e mundshme. Kemi urdhër(na thanë) nga Lahi Ibrahimi që t’i dorëzoni armët dhe të vijë në shtabin e Jabllanicës”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, babai i tij nuk ishte larguar atë ditë.

Ai ka thënë se dy persona ishin futur në oborr, ndërsa të tjerët kishin qenë jashtë. E në mesin e tyre ai pretendon se ka qenë edhe Pjetër Shala.

Dëshmitari: Personat që kanë qenë në oborr i kam njohur me emër dhe kështu që janë prezantuar, gjëja që me urdhër të shtabit. Më vonë ndërkohë, sipas informatave përmes kojshive, përmes ish-luftëtarëve të UÇK-së, kam mundur të informohem që ka qenë Pjetër Shala, me pseudonimin ‘Ujku’.

Prokurori Deminiqes: Si e mësove që ai ishte në mes të atyre ndjerëve të atij grupi, kush ta ka treguar fillimisht këtë?

Dëshmitari: Fillimisht, pasi që babin tim e kanë mbajtur për disa kohë në Kukës, në fabrikën hekuriste, aty Pjetër Shala personalisht në babin tim ka ushtruar dhunë, forcë, elektroshok, bishta të sakicave, dhe rrahje masive me gjithë të ndaluarit e tjerë së bashku.

Prokurori Deminiqes: Si e more vesh që Pjetër Shala ishte pjesë e grupit që ka ardhur të shtëpia e juaj atë ditë në maj të vitit 1998?

Dëshmitari: Kanë qenë do kojshi, kur kanë ardhur aty u kanë thënë këtyre çka po kërkoni këtu, çka po doni, këta që kanë qenë aty, ushtria, u kanë thënë ik largohuni andej, dhe aty e kanë identifikuar se është Pjetër Shala. Kur unë jam interesuar për rastin kush e kush ka mujt me qenë, është Pjetër Shala.

Por një gjë të tillë ky dëshmitar nuk e kishte thënë edhe në vitin 2010, gjatë dëshmisë që i kishte dhënë Tribunalit Penal për ish Jugosllavi.

Video

Prokurori Deminiqes: A ju kujtohet që t’i keni dhënë dëshmi Tribunalit penal për ish jugosllavi në vitin 2010?

Dëshmitari: Po.

Prokurori Deminiqes: Kur po përgatitesha për dëshminë tuaj, e lexova këtë deklaratë dhe vërejta që në atë kohë nuk e keni përmendur këtë informacion që po na thoni sot, që Pjetër Shala ka qenë një nga personat që ka ardhur të shtëpia e juaj. A ka ndonjë arsye të veçantë që ju bën të mundur që ju të ju kujtohet sot një gjë e tillë, ndërkohë që ky emër nuk është pjesë e asaj deklarate?

Dëshmitari: Faktikisht kur u përball me babain tim në Kukës, ky i ka thënë të gjitha në sy babait tim, për një lokal që e kemi pasur para lufte, ushqimor, i ka thënë që unë e kam gjetur lokalin, unë kam qenë në shtëpi, pse nuk na prite kur erdhëm të ftuam me të marrë armët dhe ty. Dhe dhunën që e ka shkaktuar me gjithë shokët e tjerë në Kukës, një brutalitet çka është jashtë njerëzores.

Gjykatësja Foglia: Zotëri dëshmitar ju lutëm përgjigjuni pyetjes së prokurorit, ai pyeti pse nuk e keni përmendur emrin e zotit shala në dëshminë që keni dhënë Tribunalit të Hagës, kjo ishte pyetje që ishte bërë.

Dëshmitari: Nuk po di veç nëse ka qenë edhe për të tjerët, atëherë nuk ka qenë e domosdoshme, ndoshta prej hetuesve, për me cek emrin e tij sepse kanë qenë pjesë të ndara gjykimet, kam marrë pjesë edhe në gjykime të tjera. Po them kjo ndoshta mundet me qenë arsyeja.

Tutje, seanca ka vijuar me përmbajtje të redaktuar, pasi prokurori pyeti dëshmitarin se çka i kishte thënë Pjetër Shala babit të tij në atë kohë.

Pas një pjese të mbyllur të seancës, dëshmitari ka thënë se babai i tij ishte kidnapuar dhe dërguar në Fabrikën e Metalit në Kukës.

Sipas dëshmitarit, ai ishte kthyer në shtëpi rreth dy javë më vonë.

“Kur e sollën shërbimi sekret, gjendja e tij ka qenë e tmerrshme, nuk kish çka me na tregu, e kemi parë vet. Të nesërmen kanë filluar bisedat kohë pas kohe. Ka treguar për tmerrin që i është bërë atje, dy ditë është mbajtur në qendrën Ramallak, dhe pas dy dite e kanë dërguar në Kukës, në fabrikën e metaleve ku aty është bërë një dhunë që nuk bëhet, jo veç ndaj babit tim, por të gjithë të burgosurve të tjerë që i kanë mbajtur aty. Baba kur ka shkuar për Kukës me katër persona ka shkuar, me të burgosur, vet i katërti ka qenë, kështu sipas babës”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, gjatë mbajtjes në Kukës, babait të tij i ishte kërkuar të pranonte se kishte vrarë 100 persona.

Dëshmitari: Pyetje, fjalë, i ke vra 100 persona, ke dhunu, të cilat i dinë ata, dhe dhunë, nënshkruaje prano që i kë vra 100 persona. Babai im a ka thënë qiteni vetëm një dhe të tjerët i pranoj unë. Duke dashur të nënshkruaj me dhunë një diçka që nuk e ka bërë.

Prokurori Deminiqes: Na thatë emrat e disa personave të cilët ishin të ndaluar me babin tuaj. A ka përmendur ndonjëherë babai juaj emrat e këtyre personave të cilët e kanë ushtruar këtë dhunë dhe kanë bërë këto pyetje?

Dëshmitari: Sabit Geci, Xhemshit Krasniqi, Pjetër Shala, me njerëz të tjerë që nuk u ka ditur emrat.

Dëshmitari ka thënë se këto ngjarje kanë ndikuar negativisht në jetën e tij dhe të familjes derisa ka theksuar se babai i tij nuk jeton më.

Ky është dëshmitar i parë i ZPS-së në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës

Dëshmitari i parë kundër Pjetër Shalës dëshmon nën masa mbrojtëse

Paraqitja e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në gjykimin kundër Pjetër Shalës, ka filluar me dëgjimin e një dëshmitari të mbrojtur, identiteti të cilit nuk është bërë i ditur për publikun.

Të dhënat personale të këtij dëshmitari janë lexuar në seancë private, gjithashtu publiku nuk ka dëgjuar as kur dëshmitari i është përgjigjur pyetjeve të prokurorit lidhur me një periudhë të pranverës së vitit 1998.

Prokurori,Filipe Deminiqes, ka prezantuar një hartë në të cilën dëshmitari ka rrethuar emrin e vendit ku ka banuar në periudhën e vitit 1998. Kjo hartë nuk është bërë e ditur për publikun.

Por sipas prokurorit, dëshmitari ka thënë se vendi ku ka banuar në atë periudhë ishte rreth tri orë ecje në këmbë deri në fshatin Jabllanicë.

Tutje, prokurori e ka pyetur dëshmitarin rreth babait të tij, për çka dëshmitari ka thënë se ai ka shërbyer si oficer policie deri në vitin 1997.

Në këtë vit, sipas dëshmitarit, ai ishte detyruar të dalë në pension për faktin se ishte shqiptar.

“Në komunitetin ku kemi banuar gjithçka ka qenë në rregull, ka qenë në marrëdhënie të mira me komunitetin, ka pasur raporte të shkëlqyera me drejtor të shkollave, me persona që kanë qenë përgjegjës nëpër rrethin, komunën, marrëdhënie të shkëlqyeshme, dhe mbrojtjen e atij rajoni ku nuk është bërë asgjë jo ligjore, asgjë jashtë ligjit nuk ka lënë që të bëhet. Dhe më pas kanë pasuar edhe shkarkimi i tij i dhunshëm, në vitin 1997”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari i cili mban numrin 8, ka thënë se babai i tij nuk ka qenë aktiv në politikë por si familje kanë qenë përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Aktiv(në politikë) nuk ka qenë por si familje, babi personalisht, e kemi përkrah Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën e ka udhëhequr presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, në maj të atij viti, dy persona kishin vizituar shtëpinë e tij me kërkesën e dorëzimit të armëve.

“Në maj kanë ardhur dy persona të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Jabllanica, Hamëz Ibrahimaj dhe një person tjetër edhe ai Ibrahimaj, herën e parë dy persona, këta dy kanë qenë, kanë ardhur në shtëpi, kanë folur më vëllain gjëja për dorëzimin e armëve që i kemi pasur për mbrojtjen e fshatit. Vëllai u ka thënë që baba nuk është këtu. Këta persona kur kanë dalë jam takuar me ta te rruga e shtëpisë sime dhe më kanë thënë që armët që i keni duhet me i dorëzu, i kam thënë që armët i kemi për mbrojtën e fshatit dhe nuk është e arsyeshme për me i dorëzu, ky është urdhri i Lahi Ibrahimit, kështu kanë thënë”, ka deklaruar dëshmitari ndërsa përgjigja e tij tutje ka vijuar me përmbajtje të redaktuar.

​Sot dëgjohet dëshmitari i parë në rastin kundër Pjetër Shalës

Dëshmitari i parë i prokurorisë, në rastin kundër Pjetër Shalës, do të paraqitet sot para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Me të fillon edhe paraqitja e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila e bën përgjegjës ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë e vrasje të paligjshme.

Krejt këto prokuroria pretendon se kanë ndodhur në periudhën maj-qershor të vitit 1999 në ish-Fabrikën e Metalit në Kukës.

Sipas ZPS-së, Shala ngarkohet edhe si kryes fizik lidhur me krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe torturës.

Këto pretendime janë kundërshtuar nga mbrojtja e Pjetër Shalës duke deklaruar se kjo çështje është e mbështetur në thashetheme.

Gjatë deklaratës hyrëse të tij, avokati kishte thënë se i akuzuari nuk ka qenë asnjëherë në dijeni për ekzistencën e ndonjë qendre të ndalimit në ish-Fabrikën e Metalit në Kukës.

Edhe Pjetër Shala ishte deklaruar pa betim në fillim të këtij procesi gjyqësor duke thënë se është plotësisht i pafajshëm.

Ai kishte theksuar se ka luftuar kundër një makinerie ushtarake e policore të regjimit kriminal të Millosheviqit dhe asnjëherë kundër civilëve.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte thënë se nëse ka drejtësi në Gjykatën Speciale ai do të shpallet i pafajshëm.

Në këtë çështje gjyqësore do të zhvillohen seanca gjatë tërë javës ndërsa do të vazhdojnë javën e parë dhe të fundit të muajit maj.

Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Back to top button