Kampionati i Kosovës në automobilizëm do të rifillojë edhe njëherë, me shpresën për të vazhduar deri në fund.

Për shkak të situatës së krijuar me koronavirus, garat u ndërprenë dy herë, por ato rinisin përsëri.

Në këtë fundjavë, në shtegun atraktiv të Brezovicës mbahet gara e tretë e disiplinës malore, e cila gjithsesi pritet me interesim të madh për faktin se garuesit janë mobilizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe rivaliteti është mjaft i madh.

Federata e Auto Sportit e Kosovës në bashkëpunim me Auto Klubin Ferizaj dhe institucionet tjera relevante, sqaron se i ka marrë masat që gara të zhvillohet sa më mirë që është e mundur përkundër faktit që jemi në situatë të pazakonshme për shkak të pandemisë me koronavirus.

Të shtunën, si zakonisht, bëhet paraqitja në garë (09:00 – 10:30), kontrollimi teknik i veturave dhe dy vozitjet testuese, derisa të dielën po ashtu pas procedurave të zakonshme në program janë dy vozitjet zyrtare, duke filluar në orën 12:00.

FASK kërkon mirëkuptim nga qytetarët që në pjesa e rrugës në të cilën mbahet gara, në intervale të caktuara kohore do të jetë e mbyllur për veturat civile, por që do të bëhen përpjekje që pritjet e tyre të jenë sa më të shkurtra.