Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë të ditur se do të mbështesë protestën e sotme të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, pas shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Basha i ka bërë thirrje opozitës shqiptare që të jenë pjesë e kësaj proteste për mbrojtjen e teatrit.

“Sot Aleanca për mbrojtjen e Teatrit ka shpallur një protestë për sot në orën 16:30 dhe ka kërkuar prani sa më të madhe të qytetarëve është vendimi i lidershipit për të mobilizuar maksimalisht strukturat tona duke u bërë thirrje gjithë opozitarëve shqiptar që nesër të jemi totalisht në mbrojtje të aleancës për mbrojtjen e teatrit në këtë protestë kundër këtij krimi makabër dhe shkelje flagrante të kushtetutës dhe ligjit”, tha ai.

Protesta kundër shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar ka pasur edhe gjatë ditës së djeshme në Tiranë, ku ka pasur edhe arrestime. Me artistët shqiptarë janë solidarizuar edhe homologët e tyre nga Kosova përmes një aksioni simbolik para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.