Bazuar në rekomandimet e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për hapjen e çerdheve, Komuna e Gjilanit nga dita e sotme ka bërë gjitha përgatitjet për rihapjen e çerdheve publike.

Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka njoftuar mbrëmë se për t’u siguruar rreth përgatitjeve për rihapjen e çerdheve, kanë kërkuar vlerësim profesional higjienik e sanitar nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik dhe inspektori sanitar në nivel regjional.

“Pas vizitave në terren nga QRSHP dhe inspektori sanitar, të njëjtit rekomandojnë se çerdhet e komunës sonë kanë përmbushur të gjitha rekomandimet e dala nga udhëzuesi i MASHT-it dhe janë të gatshme të mirëpresin fëmijët që nga sot”, ka shkruar në facebook Gagica.