Sot rivarrosen në Rezallë eshtrat e martirëve të gjetura në Kizhevak

Sot do të varrosen eshtrat e martirëve të masakrës së Rezallës të cilat u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari me anë të një postimi në Facebook.
Jashari ka njoftuar se varrimi do të bëhet me fillim nga ora 14:00.
“Të dashur qytetarë, familjarë të dëshmorëve e martirëve të Lirisë, Nesër, me datë, 09.10.2021, duke filluar nga ora 14:00, bashkë me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur do të organizojmë ceremoninë e rivarrimit të martirëve të masakrës së Rezallës, eshtrat e të cilëve janë gjetur dhe zhvarrosur nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë. Lavdi martirëve të Rezallës dhe gjithë dëshmorëve e martirëve të Lirisë!”, ka shkruar ai.
Javën e kaluar përmes pikës kufitare në Merdarë janë sjellë eshtrat e shtatë trupave dhe dy ribashkim të masakrës së Rezallës.
Këto mbetje mortore janë gjetur në varrezën masive në Kizhevak.
Vetëm në fazën e dytë të gërmimeve, të vazhduara më 5 maj, janë gjetur shtatë trupa.
Përkundër fakteve të fshehjeve të krimit, asnjë person ende nuk është i dënuar.
Kosova po kërkon përgjigje për 11 lokacione të tjera, ku dyshohet për trupat e kosovarëve, të cilët janë vrarë, masakruar e zhdukur.
Në territorin e Serbisë, në katër lokacione të tjera janë zbuluar varreza masive me trupat e mbi 940 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në vitin 1999. Tash e pesë vjet në Kizhevak të Rashkës janë kërkuar mbetjet mortore të personave që janë vrarë e zhdukur gjatë luftës./21Media

Back to top button