Nga: Hermann Kasack

Një zotëri kërkon t’ju takojë, më thotë sekretarja dhe më lëshon në dorë një kartëvizitë: Zoti Tobias Hull, B.A.; asnjë prezantim tjetër. Nuk e njoh fare. Përgjigja e saj për vështrimin tim pyetës: “Një zotëri në moshën më të mirë, elegant.”.
Ka të ngjarë të jetë i huaj. Gjithmonë më ndërpresin punën. Gjithmonë ndonjë përfaqësues. Apo? Ku i dihet: “Lejoheni të hyjë.”
Ai hyn brenda në zyrën time, duke ecur me hapa krejt të vegjël, pa e çuar tabanin e këmbës nga toka. Mendoj: do ketë probleme me shtyllën kurrizore. Por ndërkohë vërej se është i shëndetshëm dhe me pamje krejt të veçantë. Më duket rreth të dyzetave. Një dashamirësi e pazakontë rrezaton prej fytyrës së tij të lëmuar e të rruar rishtas. Të shohim pse ka ardhur. Me dorën mbështetur mbi kolltuk, e pyes: për ç’arsye më jepet nderi i vizitës suaj?
-Oh, doja vetëm t’ju prezantohesha!
-Gëzohem shumë, – i them unë.
-Duhet të më kuptoni! – pasiviteti dhe zëri i tij monoton ka theks paksa të huaj. Ai pret reagime pozitive prej vështrimit tim. Unë, ende i çuditur nga sjellja dhe vizita e tij, përsëris: gëzohem shumë për këtë, por më lejoni t’ju pyes…
Në çast më ndërpret me një tjetër “Oh!”:
-Ju lutem, mos më pyesni!
Dhe fillon menjëherë të tregojë historinë e tij, të cilën me sa duket e ka rrëfyer mbi njëqind herë:
-Sapo jam karikuar…
-Por… lejomëni, ju lutem…
Pa u ndikuar fare nga fjalët e mia, dhe pse më sheh i fiksuar, vazhdon me qetësi rrëfimin e tij: “Mos u tmerroni, unë jam njëfarësoj automati, një makinë në formë njeriu, një zëvendësues, si të thuash. Zoti Tobias Hull ekziston në të vërtetë. Ai është shefi i një fabrike të madhe për prodhimin e sozive të automatizuara. Unë jam, siç thuhet, shëmbëlltyra e tij. Jam agjent i marketingut. Natyrisht nuk mund t’jua shpjegoj në detaje mekanizmin tim – e kuptoni dhe vetë: fshehtësia! Nëse mendoni sadopak se njerëzit sot jetojnë, veprojnë dhe mendojnë në mënyrë krejtësisht të shabllonizuar, atëherë e kuptoni thelbin e teorisë sonë. Zemrën dhe arsyen ne i kemi hequr nga funksioni. Ato vetëm të pengojnë dhe krijojnë shumë komplikime në jetë. Te ne është përvoja e rutinës, që i zëvendëson të gjitha. Një përshtatje e shkëlqyer, apo jo?”.
Unë pohoj me kokë i tronditur.
“Oh! Brendësia ime është një sistem rrymash elektrike dhe levash automatike; madhështore, ë? Një bashkësi antenash, që reagojnë ndaj luhatjeve më të vogla. Ato më lejojnë të kryej të gjitha funksionet e qenies njerëzore; po, në një mënyrë të përcaktuar, pa tejkalime. Ju e shihni dhe vetë sa mirë funksionoj.”.
Unë vështroj i trishtuar dhe dyshues krijesën e rrallë. “E pamundur”, them. “Ju jeni prestidigjitator. Shumë i veçantë. Nga ana tjetër…”.
“Oh! Unë kuptohem në shtatë gjuhë. Për shembull, nëse shtyp një buton në anën time të majtë, atëherë filloj të flas rrjedhshëm anglisht; nëse shtyp një buton në anën time të djathtë, atëherë filloj të flas rrjedhshëm frëngjisht, dhe nëse…”.
“Po kjo qenka jashtëzakonisht e habitshme!”.
“Oh, po! Në njëfarë mënyre; por, para së gjithash është leverdi e madhe. Do të dëshironit të bisedonit mbi motin, filmin, sportin? Mbi politikën ose pikturën abstrakte? Pothuaj të gjitha temat dhe fjalët e njeriut modern janë në memorien time. Madje mund të çmbështjell një bobinë të tërë me fjalët e së përditshmes. Gjithçka e kuptueshme, e plotësuar, lehtësuese dhe praktike. Sa mirë do të ishte për ju nëse do të kishit sozinë tuaj mekanike ose, më mirë, nëse do të kishit nën shërbim dy kopjet tuaja njëherazi. Do mund të ndërmerrnit në të njëjtën kohë udhëtime të ndryshme, do të merrnit pjesë në më shumë se një takim, do ishit i kudogjendur përmes tyre, ndërkohë që vetë do shijonit rehatinë e shtëpisë. Do të keni përfaqësuesin tuaj, që do t’ua zgjidhë çështjet e tregtisë më mirë se ju vetë. Mund edhe të fitoni dyfish ose dhe më shumë, madje do mund të ruanit veten nga shumë trille të jetës. Qenia juaj do jetë shumëfishuar. Ju, madje, dhe mund të vdisni, pa rënë fare në sy të botës. Sepse ekzistenca jonë kushtëzohet nga çdo lëvizje e njerëzve të vërtetë.”.
“Atëherë, njerëzit dalëngadalë po u bëkan krejt të tepërt.”.
“Jo, pikërisht për arsyen se dy njerëz-automatë shumë pak mund të merren vesh me njëri-tjetrin. A do bënit ndonjë porosi?”. Dhe befas u ngrit, si ta kish pickuar ndonjë gjë, duke përshkuar dhomën kryq e tërthor.
“Ne mund të rregullojmë dhe shpejtësitë e lëvizjes. Atletë të njohur dhe pilotët e makinave kanë sozitë e tyre, që ua përmirësojnë vazhdimisht rezultatet.”.
“Fantastike. Tashmë nuk paske më mundësi të dish në ke përpara vetes një njeri apo një automat.”.
“Oh!”, pëshpëriti ai në veshin tim, “të fshehtën e fundit të natyrës kurrë nuk do ta marrim vesh. Pra, do më lejoni të porosis shëmbëlltyrën tuaj? Nuk keni përbërje veçanërisht të komplikuar dhe kjo është me leverdi. Ja vlen barra qiranë. Nesër do të vijë dikush t’ju marrë masën.”.
“Prova e ekzistencës suaj është magjepsëse, mirëpo…”, mua po më mungonin fjalët dhe bëra sikur po mendohesha për të marrë vendim: “Megjithatë, më thoni të vërtetën: zotëria, që do të vijë nesër, do të jetë automat, apo njeri?”.
“Mendja ma merr se do jetë ende i vërtetë. Por njësoj është. Ditën e mirë!”.
Zoti Tobias Hull u largua. Ky nuk është trillim imi; sekretarja është dëshmitare e gjallë e gjithë kësaj historie.
Patjetër, mbas vizitës tek unë, krijesës do t’i ketë ndodhur ndonjë gjë, sepse as të nesërmen e as në ditët më pas s’erdhi kush të merrte masat për sozinë time. Shpresoj që me këto rreshta të mund të ringjall vëmendjen e firmës “Tobias Hull” ndaj meje.
Qysh prej asaj bisede, një gjë e di mirë: kam takuar ndërkohë shumë njerëz, në teatër dhe kinema, në mbledhje dhe takime, në klube dhe tavolina, të cilët pa diskutim nuk ishin vetvetja, por thjesht sozi mekanike të vetes së tyre.

Përktheu nga gjermanishtja: Anna Kove

Hermann Kasack (1896-1966) u lind në Potsdam, në vitin 1896. Është një ndër lirikët e shquar të letërsisë gjermane. Studimet e larta për histori letërsie i nisi në Berlin dhe i përfundoi në Mynih në vitin 1920. Libri i tij i parë “Njeriu”, botohet në Mynih në vitin 1918. Ka punuar në vitet e jetës së tij si lektor i shtëpive të ndryshme botuese dhe si autor i shumë pjesëve teatrore, nën pseudonimin Hermann Wilhelm. Veçanërisht u bë i njohur për romanin e tij surrealist “Qyteti kundër rrymës”, që u botua në vitin 1947, për të cilin mori çmimin “Fontane” të qytetit të Berlinit. Është themelues i grupimit letrar gjerman PEN dhe i gazetarisë radiofonike, në vitet 1953-1963 ishte president i Akademisë Gjermane për Gjuhën dhe Poezinë. Vepra e tij letrare përmbledh dhjetë vëllime në lirikë, katër drama, katër radio-drama, pesë vëllime me tregime dhe tre romane; një pronë e vërtetë për lexuesit dhe studiuesit e letërsisë gjermane të shekullit të njëzetë. Hermann Kasack vdiq më 10 janar 1966 në Stuttgard.