Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas lajmit se personi i arrestuar për avullimin e 2 milionë eurove nga Ministria e Financave vjen nga kjo komunë.

Sipas Lladrovcit i dyshuari kishte nderprerë kontratën me komunën e Drenasit për shkaqe personale.

“Lajm befasues se është paraburgosur ish drejtori i liruar nga departamenti i Buxhetit dhe Financave, për gati 9 muaj në komunën e Drenasit. Puna e tij në komunën tonë, gjatë vitit 2018, ka qenë e lidhur me përvojën e tij në Ministrinë e Financave, ndërsa ndërprerja e marrëdhënies së punës në Komunë, ka qenë për shkaqe personale”, ka shkruar Lladrovci në një postim në “Facebook”.

I dyshuari në fjalë ka një foto të postuar me Lladrovcin, e ky i fundit e ka përfshirë edhe sqarimin për këtë fotografi në reagimin e tij.

“Fotografia ime e publikuar nëpër media bashkë me z. Gruda, është fotografi gjatë dëgjimeve buxhetore, pra, nuk është e lidhur me aktivitetet partiake. Lidhja e emrit të tij me punën në komunë gati nëntëmujore në Drenas dhe si anëtar i PDK-së, është e pavërtetë. Nga dita e largimit të tij nga komuna, ai nuk kishte asnjë qasje profesionale as përgjegjësi”, ka shkruar tutje kreu i Drenasit.

Në fund Lladrovci ka theksuar se besimi ndaj organeve të gjurmimit, hetimit dhe zbatimit të drejtësisë, është e paluhatshme./21Media