Stano: Statuti për Asociacionin duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog
Bashkimi Evropian edhe një herë u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin obligimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit.
Një thirrje të tillë e ka bërë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për medie.
Duke rikapituluar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Stano ka theksuar se etiketimi i Projektstatutit evropian të Asociacionit si thjesht një “non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij, derisa ka shprehur keqardhje që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me draft-statutin evropian.
Sipas tij, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të dialogut të 2013 dhe 2015, statuti për themelimin e Asociacionit duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog.
“Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin jashtë dialogut. Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës”, ka theksuar tutje Stano.