Moska dhe Pekini kritikojnë ashpër strategjinë e re amerikane

Moska dhe Pekini kritikojnë ashpër strategjinë e re amerikane

Strategjia e re amerikane për siguri kombëtare është imperialiste dhe flet për mungesën e gatishmërisë së Uashingtonit për tu shmangur nga ideja për botën njëpolare, ka vlerësuar sot Kremlini zyrtare.

“Duke analizuar strategjinë, në veçanti pjesët që kanë të bëjnë me vendin tonë, mund të vërehet karakteri imperialist i këtij dokumenti, si dhe mungesa e vullnetit për tu shmangur nga ideja e botës njëpolare dhe për të pranuar botën multipolare”, deklaroi zëdhënësi i Presidentit të Rusisë, Dimitri Peskov.

Peskov tha se Moska nuk mund të pajtohet për qëndrimet kundrejt Rusisë, të shprehura në dokument, por shtoi se strategjia ka edhe disa pika pozitive, në veçante ato që kanë të bëjnë me bashkëpunimin me Rusinë në fushat të cilat i shkojnë për shtati interesave amerikane.

Në këtë kontekst, Peskov përmendi shembullin e mrekullueshëm të bashkëpunimit, kur shërbimet e inteligjencës së dy vendeve shkëmbyen informatat, të cilat mundësuan parandalimin e sulmeve terroriste në Shën Petersburg.

Edhe Pekini reagoi ndaj strategjisë së re të Trumpit, duke theksuar se bashkëpunimi mes Kinës dhe Uashingtoni shkon në favor të dy palëve dhe se nga konfrontimi humbin që të dy vendet.

Kina tha se shpreson se Uashingtoni do të heq dorë nga mentaliteti i fituesit në dëm të tjerëve dhe se do të kërkoi fusha të interesit të përbashkët, duke respektuar qëndrimet e tjerëve./21Media