Studentët ankohen për mungesën e lëvizjes së lirë

Studentët ata që po pësojnë më së shumti nga kjo ngecje

Për nder të Ditës së Evropës, në emisioni “Bon Bon” të RTV21 u diskutua për atë që po konsiderohet problemi më i madh për qytetarët e Republikës së Kosovës, mohimi i së drejtës për të lëvizur jashtë vendit, shkruan rtv21.tv

Për të folur për këtë dhe mbi temën e studimit në Kosovë si dhe kontaktet me Evropën, të ftuar ishin përfaqësuesit nga Unioni i Studentëve të Kosovës- USK.

Kryetari i këtij unioni, Arben Mehmeti, tha se më të prekurit nga mos liberalizimi i vizave janë studentët, pasi sipas tij, ata e kanë të pamundur të lëvizin për studime jashtë vendit qoftë edhe për vetëm një semestër.

“ Sot kemi pasur një aktivitet si Union i Studentëve të Republikës së Kosovës, ku jemi mundu të shprehim revoltën apo pakënaqësinë tonë, ndaj mos reagimit të shtetit, qeverisë në këtë rast në zgjedhjen e problemeve elementare të shoqërisë së Kosovës, qoftë duke filluar nga problemet ekonomike, mirëqenies dhe mungesa e lëvizjes së lirë”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se ata kishin përgatitur 120 zarfe për secilin deputet, ku gjendeshin nga një aplikacion për viza.

Sipas Mehmetit, politikanët sikur e kanë harruar problemin e një qytetari të thjeshtë i cili ballafaqohet me problemin e marrjes së një vize.

“Këta e gëzojnë të drejtën e të pasurit një pasaportë e cila është diplomatike dhe nuk kanë nevojë për viza. Përmes këtij aksioni kemi dashtë me ua përkujtuar atyre problemet edhe kërkesat që një ambasadë i ka kundrejt një qytetari të thjeshtë”, shtoi Mehmeti.

Të pyetur nëse ka shprehur interesim ndonjë deputet që të dëgjoj aktivitetin e studentëve gjatë kohës sa ata qëndronin para Kuvendit, Muhamet Hamzaj, kryetar i Parlamentit Studentor të UP-së tregoi se atyre nuk u është lejuar as t’i dorëzojnë zarfet në recepcionin e Kuvendit.

“Kur nuk u lejua një letër të dorëzohet në Kuvend, atëherë si na pranon Evropa. Këta janë të zgjedhurit tanë dhe kërkojmë nga ata që sa më shpejt të punojnë në liberalizimin e vizave për Kosovën”, u shpreh Hamzaj.

Si student i Fakultetit të Mjekësisë, Hamzaj tregoi arsyet pse edhe ai si çdo kolegë i tij, synon të ikë nga vendin në kohën kur do t’i përfundojë studimet.

“Vetëm në 2013  nga Fakulteti i Mjekësisë kanë ikur mbi 400 mjekë është fatkeqësi me thënë por në Kosovë mjekë me licencë, studentë të rinj të mjekësisë, kanë punuar kamerierë dhe profesione të ndryshme që për profesionin që kanë është e turpshme për vendin”, tha ai.

Studentët e pranuan se nuk është e domosdoshme që çdonjëri nga ata të dal jashtë vendit për të ndjekur studimet, por sipas tyre kjo është e nevojshme për një pjesë të studentëve që kanë ambicie për të ndjekur ndonjë drejtim i cili në Kosovë nuk ekziston.

Nënkryetarja e USK-së, Krenare Qerkini, duke shprehur shqetësimin e saj në faktin se studentët janë ata që pësojnë më së shumti nga kjo ngecje, tha se Kosova nuk po i ofron asnjë mundësi studentëve që kanë kapacitete të mëdha për të arritur suksese në profesionet që ata përzgjedhin.

“ Si organi më i lartë përfaqësues i studentëve të Kosovës, ne jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që e kemi mbi supe për këta studentë dhe mundohemi të bëjmë një përfaqësim sa më dinjitoz”, përfundoi Qerkini./21Media

Back to top button