“MediaLab” donacion i SHBA-së

“MediaLab” donacion i SHBA-së

Me qëllim të ofrimit të mundësisë praktike për studentët e gazetarisë, Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës ka përuruar sot MediaLabin, projekt ky i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Asistenti i Departamentit të Gazetarisë, Alban Zeneli duke kujtuar kohën sa ishte vet studentë në këtë departament, thotë se është i lumtur që ky laborator po përurohet, në ditën edhe kur po hapet afati për pranimin e studentëve të rinj.

“Media laboratori është një studio e re televizive që mund të funksionojë jo vetëm televizionin, por edhe për disa lëndë të tjera, në kuadër të studimeve në Departamentin e Gazetarisë. Jam i kënaqur që këtë hapje solemne ta bëjmë në kohën kur po i presim studentët e rinj. Konkursi i Universitetit të Prishtinës është hapur dje dhe ne me këto pajisje që i kemi në dispozicion, puna praktike e studentëve tanë do të jetë në nivele shumë më të larta”, tha Zeneli.

Ai u shpreh se ky laborator është grant i Ambasadës amerikane në Prishtinë, për çka është edhe falënderues. Zeneli mes tjerash thotë se është falënderues për renovimin e kësaj salle, në të cilën tashmë është bërë hapja e kësaj studioje televizive.

Jeta, Albiona dhe Elvira, tri studente të Fakultetit të Arteve, vullnetarisht kanë realizuar edhe muralet përreth këtij laboratori televiziv.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema ka uruar që nga ky fakultet të dalin studentë të gazetarisë të përgatitur.

“Uroj që nga ky ambient, shumë me rëndësi të dalin gazetarë të përgatiten që të plotësojmë një shtyllë shumë me rëndësi të demokracisë për zhvillimin që është shtylla e mediave. Pres nga ju që të informoni në kohë, në mënyrë korrekte, në mënyrë që të zhvilloni demokracinë, të zhvilloni zhvillimin tekniko-teknologjik të Kosovës. Sepse të gjithë e dimë që mediat luajnë një rol shumë me rëndësi në ngritjen intelektuale, civile të të gjitha fushave të shoqërisë”, thotë Dema.

Dema thotë se hapja e këtij laboratori paraqet edhe një hap para për realizimin e objektivave që dalin nga plani strategjik i Universitetit të Prishtinës.

Raymond Welch nga Ambasada amerikane në Prishtinë, është shprehur tejet i kënaqur me inaugurimin e këtij projekti.

“Mënyra se si i komunikojmë informacionet po ndryshon me shpejtësi dhe profesioni i gazetarisë duhet të mbajë hapin me këto ndryshime. Një hapësirë e tillë e dedikuar në universitet është me rëndësi jetike për përgatitjen profesionale të studentëve. Ku ata do të mund të zhvillojnë projekte që lidhen me gazetarinë radiotelevizive, marrëdhëniet me publikun dhe mediat online”, thotë ai.

Welch pret shumë rezultate nga kjo studio televizve, si zhvillimin e studentëve, realizimin e projekteve të reja që do të caktohen nga profesorët, shfrytëzimin e teknologjisë së re, si dhe zbatimin e programit që studentët do të zhvillojnë për komunitetin universitar.

Dekania e fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova u shpreh se hapja e kësaj studio televizive është një formë e re e të mësuarit, menduarit dhe formë e re e bashkëpunimit.

“Ky ndryshim do të bart me vete shpejtësinë e zhvillimit teknologjik dhe do të përcaktojë edhe orientimin e mësimdhënies së lëndëve profesionale në Departamentin e Gazetarisë. Një MediaLab, puna e studentëve në të duhet të konsiderohet si një edukim i veçantë. Një vetëdijesim kritik, një liri e krijimit të projekteve individuale dhe grupore të studentëve”, thotë Rugova.

Sipas saj, ky laborator i qëndron karshi një pedagogjie tradicionale, ku roli i studentëve dhe mësuesit është tranzitiv.

Profesoresha e Departamentit të Gazetarisë, që njëherësh ligjëron edhe lëndën “Gazetari Televizive” , Remzie Shahini-Hoxhaj, thotë se kjo ditë e përurimit nuk është rastësi. Ajo ka falënderuar Ambasadën amerikane për donacionin e po ashtu edhe për kontributin e popullit amerikan për Kosovën.

“Ky projekt është vazhdimësi e bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm me Ambasadën amerikane. Në vitin 2015 kemi qenë pjesë e një vizite në Arizona State University dhe atje kemi parë një laborator të ngjashëm. Sapo u kthyem nga atje ne menjëherë vendosëm që këtë ëndërr që e pamë atje ta bëjmë realitet. Edhe kjo është një ndihmë e vazhdueshme që Ambasada amerikane i ka dhënë Universitetit të Prishtinës në aspektin e ngritjes së nivelit dhe cilësisë në arsim”, përfundon Shahini-Hoxhaj.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësuesit e Ambasadës së ShBA-së, Universitetit të Prishtinës dhe Departamentit të Gazetarisë.