Studentët e Gazetarisë prezantojnë hulumtimet e tyre mbi nevojën për edukim medial në kohën e pandemisë. Departamenti i Gazetarisë në UP, në kuadër të lëndës Edukim Medial, ka shënuar 3 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, duke prezantuar punën e studentëve në kuadër të tryezës virtuale “Nevoja për edukim medial në kohën e pandemisë”.

Studentët kanë paraqitur të gjeturat e tyre lidhur me ndikimin e lajmeve të rreme gjatë pandemisë te publiku, besueshmërinë e publikut në televizion, mediat online dhe rrjetet sociale gjatë pandemisë dhe mënyrën se si është lëkundur ai besim gjatë periudhave të ndryshme, komentet e audiencës lidhur me marrjen e vaksinës dhe besueshmërinë ndaj teorive konspirative, ndikimin e imazheve televizive rreth pandemisë tek audienca e shumë tema të tjera.

Me këtë rast, Blerta Aliu, asistente në Degën e Gazetarisë ka theksuar se këtë vit, pashmangshëm situata me pandeminë ka afektuar edhe fushën e tyre të studimit.

“Të ndodhur në një situatë ku dezinformimi është kudo dhe nevoja për të krijuar aftësi për detektim dhe shmangie të lajmeve të rreme është më e madhe se kurdoherë më parë, studentët e vitit të tretë, sot kanë prezantuar gjetjet e analizave të tyre, që lidhen direkt me këtë problematik. Tërë këto gjetje na përforcojnë bindjen se edukimi medial, është çelës për zhvillimin e mendimit kritik të audiencës lidhur me përmbajtjet mediale e posaçërisht në kohra të tilla si kjo përballje me pandeminë, ku nevoja për të seleksionuar burimet e informacionit dhe përmbajtjet mediale është tepër e nevojshme në mënyrë që të kemi informata të sakta”, ka theksuar Aliu.

Në fund të këtij aktiviteti janë ndarë çmime për dy punimet më të mira të cilat janë mjete të teknologjisë, që do të ndihmojnë studentët të operojnë online gjatë mësimeve, dhe janë mbështetur nga misioni i OSBE-se në Kosovë./21Media