Paralajmërojnë protesta

Paralajmërojnë protesta

Përfaqësues të organizatës studentore “Reforma” e kanë kundërshtuar politizimin e Bordit Drejtues të UP-së e po ashtu ndërhyrjen në punën e Parlamentit Studentor.

Sot ata kanë organizuar një aksion simbolik, në oborrin e Rektoratit, duke vendosur kështu pankarta, në të cilat shkruhej se “Nuk duam bord politik”, “UP- Telekom”, e “Kundër seksizmit”.  Megjithatë, dyert e institucionit, ku i adresuan ankesat e tyre, sot ishin të mbyllura.

Përfaqësues i kësaj organizate, Edison Bibaj ka thënë se nuk dëshirojnë që edhe Universiteti i Prishtinës të bëhet si Telekomi ku partitë politike kanë  punësuar  familjarë dhe militantë partiakë.

Sipas tij, bordi drejtues i UP-së që sipas tyre është partiak ka arritur të shtyjë edhe zgjedhjet për anëtarin e ri të Këshillit Drejtues që votohen në senatin e UP-së. Këto ndikime, siç kanë thënë ata, kanë ardhur pikërisht nga këta të fundit, duke politizuar disa deputetë të Parlamentit Studentor.

“Vendimi i fundit, është që studentët të cilët mendojnë se duhet të përgatiten për të regjistruar nivelin master dhe doktoraturë, në Senatin e Universitetit është votuar që duhet të kryejë një kurs me pagesë, për gjuhë të huaja. Kjo është e pa pranueshme, ku vërehet qartë se e kanë për përfitime personale, disa individë këtu brenda Universitetit”, ka shtuar Bibaj.

Studentët u kanë bërë thirrje subjekteve politike dhe liderëve të tyre, që të kenë liri të plotë, pa presione, në mënyrë që të veprojnë të pavarur. Këto pakënaqësi, Edison Bibaj ka deklaruar se i kanë adresuar edhe në rektorat, për çka ka thënë se nga nesër do të organizojnë edhe protesta, në mënyrë që të kundërshtojnë ndërhyrjen në Parlamentin Studentor dhe gjendjen në UP.  Ata kanë pasur ankesa edhe për mungesë të literaturës, për nepotizëm, seksizëm dhe plagjiaturë.