Stuhia e djeshme shkaktoi dëme të konsiderueshme në një pjesë të Malishevës (FOTO)

Stuhia e shoqëruar me breshër gjatë ditës së djeshme, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në një pjesë të Malishevës.

Si pasojë e stuhisë, janë dëmtuar në masë të madhe kulturat bujqësore, serrat dhe të mirat tjera materiale.

Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara, sot, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Sylë Dukolli, me kërkesën edhe të kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e ka vizituar fshatin Plloqicë, ku edhe janë shënuar dëmet më të mëdha nga stuhia.

Dukolli ka shprehur keqardhjen për dëmet që u janë shkaktuar bujqve dhe ka thënë se “do të jemi gjithmonë pranë qytetarëve, e në veçanti pranë bujqve e fermerëve, të cilët janë dëmtuar rëndë gjatë ditës së djeshme”.

Dukolli bashkë me zyrtarët përgjegjës të drejtorisë për bujqësi, i kanë vizituar disa nga fermerët e dëmtuar.

“Përveç dëmeve të rënda në serrat e tyre, në tokë shihej breshëri i rënë gjatë ditës së djeshme, e që ende nuk është shkrirë dhe krahas serrave dhe pemëve, breshëri e stuhia i ka dëmtuar në masë të madhe edhe kulturat tjera, si grurin e pa korrur dhe misrin”, thuhet në njoftimin nga Komuna e Malishevës.

Dukolli ka bërë të ditur se menjëherë është aktivizuar komisioni i cili do bëjë vlerësimin e dëmeve, varësisht nga kërkesat dhe ankesat e qytetarëve, të cilët e kanë njoftuar komunën, për dëmet në të mbjellat e tyre. /21Media 

Back to top button