Subvencionimi i rrymës, këtu mund të aplikoni

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është lansuar forma e aplikimit për subvencionim të energjisë elektrike për familjet e cenueshme.
Murati u ka bërë thirrje qytetarëve që të sigurohen që të dhënat janë të sakta, e sidomos shifra e konsumatorit (njehsorit të energjisë elektrike) sepse subvencioni do të bëhet direkt në faturë.
Ndërkohë, ai ka njoftuar edhe se kush mund të përfitojë.
“Të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim. Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai tutje ka shtuar se shuma e subvencionit të plotë shkon deri në 900 kËh/vit për një anëtar, dhe do të jetë e shpërndarë nëpër muajt e dimrit.
“Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kËh/vit për anëtar. Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kËh për anëtar. Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kËh/vit/anëtar”, ka shkruar Murati.