Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë në Tiranë. Një person është futur në ambientet e xhamisë te Rruga e Kavajës në Tiranë duke plagosur me thikë 5 persona.

Personi që ka hyrë në xhami është identifikuar si Rudolf Nikolli. Ai është neutralizuar dhe arrestuar nga policia si dhe është sekuestruar dhe arma e ftohtë thika me të cilën ka plagosur 5 persona.

“Rreth orës 14:30, në Rrugën e Kavajës, një shtetas është futur në ambientet e një kulti fetar (xhami) dhe në rrethana ende të paqarta ka plagosur me mjet prerës 5 shtetas. Falë reagimit profesional dhe të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë është bërë i mundur neutralizimi dhe prangosja e autorit të dyshuar, shtetasi Rudolf Nikolli 34 vjeç, nga Burreli, i cili po shoqërohet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, shërbimet e Policisë iu kanë dhënë ndihmën e parë shtetasve të lënduar, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë. /oranews