Protestuesit armenë kanë sulmuar ndërtesat qeveritare në kryeqytetin e Armenisë, Yerevan, pas zemërimit që shpërtheu kundër marrëveshjes së paqes, me të cilën synohet t’u jepet fund luftimeve me Azerbajxhanin në rajonin Nagorno-Karabak.

Qindra njerëz dolën në rrugë pak kohë pasi kryeministri armen, Nikol Pashinyan, njoftoi për atë që e quajti marrëveshje të dhimbshme.

Në rezidencën zyrtare të kryeministrit Pashinyan u thyen xhamat e dritareve, ndërsa protestuesit ia hoqën shkronjat e emrit nga dera kryeministrit dhe u dëgjuan duke brohoritur ”Nikoli na ka tradhtuar”.

Protestuesit arritën të futen edhe në ndërtesën e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit, Ararat Mirzoyan, u gjend në turmë dhe u rrah nga një grup i dhunshëm protestuesish deri i humbi vetëdija.

Pashinyan ka nënshkruar një marrëveshje me udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit ushtarak mbi rajonin Nagorno-Karabakh mëngjesin e së matës, pas më shumë se një muaj gjakderdhje.

Deklarata vjen pas gjashtë javë luftimesh të ashpra dhe përparimeve nga forcat e Azerbajxhanit. Zyrtarët azerë thanë të hënën se forcat e tyre kishin kapur dhjetëra vendbanime të tjera në Nagorno-Karabakh, një ditë pasi shpallën fitoren në betejën për qytetin e dytë më të madh strategjik të enklavës.