Sulmet ndaj policëve, Osmani mbledh strukturat e sigurisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbledhur sot strukturat e sigurisë së Kosovës, ka mësuar rtv21.tv nga burimet e saj.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur përmes një konference sot se Policia e Kosovës është sulmuar katër herë në tri ditët e fundit në pjesën veriore.
Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka sqaruar se rastet e fundit nuk janë bërë publike në fillim për t’i dhënë kohë Policisë për t’i zbuluar shkaktarët.
Sulmet janë dënuar nga krerët e shtetit të Kosovës dhe ndërkombëtarët.
Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policëve, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës.
Blerim Vela, këshilltar i presidentes Osmani, ka thënë se këto veprime ndaj Policisë së Kosovës kanë për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë dhe asaj politike në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka quajtur akt kriminal sulmin ndaj Policisë së Kosovës. Sipas tij, një gjë e tillë është bërë për ta cenuar rendin e ligjit në një kohë kur Kosovës i duhet stabiliteti e siguria.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se sulmi ndaj Policisë së Kosovës duhet të jetë alarm për të gjithë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka dënuar fuqishëm sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri. Përmes një postimi në Twitter, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këtë sulm.
“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe hedhje gurësh ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit pranë Zubin Potokut. Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme”, thuhet në reagimin e ambasadorit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka cilësuar sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut, në orët e hershme të 15 prillit. Sipas tyre, Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm./21Media

Back to top button