Mbrëmë në emergjencë e Spitalit të Prizrenit familjarët kanë sulmuar fizikisht infermierët në detyrë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se përleshja ka ndodhur në mes të tre të dyshuarve dhe katër personave të personelit mjekësor, sipas informatave njëri nga të dyshuarit ishte lënduar në Prishtinë dhe ka kërkuar ndihmë në Prizren, por stafi mjekësor nuk e ka trajtuar rastin dhe aty ka nisur fjalosja.

Si pasojë e përleshjes lëndime të lehta trupore kanë pësuar edhe stafi mjekësor edhe të dyshuarit. Tre të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit njëri nga ta është dërguar në mbajtje ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt

Lidhur më këtë ka reaguar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti duke thënë se ky është gjest i shëmtuar dhe e dënoi sulmin.

“Mjekët, infermierët dhe tërë personeli mjekësor e mbështetës, gjatë këtyre muajve sa po përballemi me pandeminë Covid-19, kanë dëshmuar përkushtim të lartë që duhet vlerësuar, e jo sulmuar. Sulmet ndaj heronjve të kohës janë të turpshme dhe të pa pranueshme”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Kreu i Qeverisë ka ftuar organet e rendit që të vihen në mbrojtje të mantelbardhëve, ndërsa organet e drejtësisë që ta kryejnë detyrën e tyre shpejt./21Media