Vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi është sulmuar mbrëmë në qytetin e Mitrovicës.

Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Sipas policisë rasti është inicuar dhe po hetohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Në vend ngjarjes në veturën e dëmtuar jan gjetur katër predha të armës. Nuk raportohet për të lënduar! Hetuesit policor janë duke punuar”, ka thënë Zahiti për portalin rtv21.tv.

Ndërkohë, gazetari Shkumbin Kajtazi përmes një statusi në Facebook ka njoftuar për sulmin ndaj tij.

“Miq, Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.
Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.
Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.
Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.
Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.
Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij”, ka shkruar Kajtazi./21Media