“Është një sulm tragjik, Vjena është në shok! Vjena nuk e ka pritur assesi këtë sulm terrori, është një sulm ndaj një shteti që ka qenë shumë neutral, është një sulm ndaj një shteti ligjor, sulm ndaj demokracisë, sulm ndaj popullatës botërore”, tha për TV21, avokati shqiptar në Vjenë, Mirsad Musliu, i cili është me prejardhje nga Gostivari.

Për TV21, ai rrëfeu përjetimet e sulmit terrorist që ndodhi mbrëmë në kryeqytetin e Austrisë, ndërsa tregoi edhe se si është situata aktuale.

“Lagjja e parë e Vjenës është komplet e bllokuar, shkollat sot nuk kanë mësim ushtria është duke i ruajtur disa objekte kryesore të shtetit, policia është në “alarmin 1”, u shpreh Musliu.

Si jurist, Musliu tregoi se sulmuesit e kapur mund dënohen deri me burg të përjetshëm!

“Është vrasje për motive të ulëta, është vrasje, krim terrori dhe këtu ligji parasheh një kornizë dënimi prej 10 deri në 20 vjet burg, ose burg të përjetshëm, por unë mendoj, nga përvoja ime, se këtu nuk ka hapësirë për burg të kufizuar, por vetëm të jetë burgim i përjetshëm”, tha ai.

Po ashtu, Musliu u shpreh se është e çuditshme se si sulmuesi me prejardhje nga Tetova, tashmë i vrarë, ka mundur të ketë edhe nënshtetësi të Maqedonisë së Veriut dhe të Austrisë njëkohësisht, kur me ligjet austriake nuk mund të kesh dy nënshtetësi, raporton TV21./21Media