Supremja ndryshon vendimin e Apelit, rryma do të faturohet me tarifa të reja

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve është lejuar nga Kolegji i Gjykatës Supreme.
Me vendimin e sotëm, Supremja i prishi vendimet e gjykatave më të ulëta përmes të cilëve ishte ndaluar shtrenjtimi i rrymës me arsyetimin se qytetarëve do tu shkaktohej dëm i pariparueshëm.
Sipas gjykatës, e cila e jep fjalën e fundit në vend, pezullimi i shtrenjtimit të rrymës nuk ishte arsyetuar nga Gjykata e Prishtinës dhe ajo e Apelit.
“Kolegji i Gjykatës Supreme në konfliktin administrativ, sipas padisë së paditësit-propozuesit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kundër të paditurit-kundër propozuesit Zyra e Rregullatorit për Energji, (ZRrE),  me bazë juridike anulim i vendimit të paditurit, nr. prot. 077/22 të datës 16.02.2022 dhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të njëjtit, duke vendosur lidhur me kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga i padituri ZRrE, kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit, e ka aprovuar si të bazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, e parashtruar nga i padituri Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), kundër  aktvendimit të Gjykatës së Apelit”, bëhet e ditur në njoftim.
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit dhe aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, dhe ka refuzuar si të pabazuar kërkesën-propozimin e paditësit Partia Demokratike e Kosovës, për shtyrjen e ekzekutimit të Vendimit të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji.
Gjykata Supreme përmes aktgjykimit ARJ nr.45/2022, “vlerëson se duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, nuk mund të aprovohet si  i drejtë dhe ligjor qëndrimi juridik i gjykatës së Apelit dhe i gjykatës së shkallës së parë si në aktvendimet e kontestuara me kërkesë. Në rastin konkret Gjykata e Apelit është dashtë në mënyrë kumulative ashtu si parashihen në nenin 22 par. 2 të LKA-së, t’i  vlerësojë drejtë të gjitha rrethanat dhe faktet sipas specifikave të çështjes së vendosur si në vendimin e organit të paditur të ZRRE, prandaj gjykata e shkallës së parë me rastin e lëshimit të masës së përkohshme kontestuese, gabimisht ka zbatuar këtë dispozitë ligjore, sikur edhe gjykata e shkallës së dytë kur ka aprovuar një qëndrim të tillë të gjykatës së shkallës së parë, sepse sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme arsyetimi i aktvendimit të kontestuar me kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor por edhe ai i shkallës së parë është jo bindës  dhe jo konkret lidhur me faktet vendimtare në të cilat këto vendime bazohen. Faktet dhe konkludimet e gjykatave të instancave më të ulëta janë  të përgjithësuara dhe  si të tilla të paargumentuara për atë se, cili është dëmi konkret dhe si është i matshëm ky dëm që i shkaktohet paditësit, i cili vështirë do të riparohej para se të bëhet vlerësimi i ligjshmërisë së vendimit të kontestuar në procedurë të rregullt gjyqësore, gjersa shtyrja nuk do të ishte në dëm të palës kundërshtare apo palës së interesuar dhe shtyrja nuk do të ishte në kundërshtim me interesin publik. Nga kjo  rezulton se arsyetimi i aktvendimit kontestues të Gjykatës  së Apelit nuk përmban arsye ligjore dhe bindëse sipas provave në shkresa të lëndës për kushtet ligjore që kërkohen sipas nenit 22 të LKA për lëshimin e masës së përkohshme, duke mos u bërë i besueshëm dëmi i pariparueshëm që do të justifikonte masën e përkohshme në këtë fazë dhe duke mos paragjykuar përfundimin e procedurës së vendosjes sipas padisë, në mënyrë meritore, lidhur me  shqyrtimin e ligjshmërisë së  aktit administrativ”./21Media

Back to top button