Ushtruesi i detyrës së ministrit të punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka akuzuar publicistin, Milazim Krasniqi për nxitje të organizimeve fetare në kundërshtim me masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë.

“Jam informuar se sot pasdite, një grup “qytetarësh anonimë” po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve të MSh-së të marra sipas rekomandimeve të IKSHP-së, dhe në dakordim të plotë me Bashkësinë Islame të Kosovës. Kemi gjithashtu informacione se pas këtyre organizimeve qëndron publicisti Milazim Krasniqi.I ftoj të gjithë qytetarët të tregojnë maturinë dhe vullnetin e plotë për të mos rënë viktimë e politizimit të riteve fetare.”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Jam informuar se sot pasdite, një grup "qytetarësh anonimë" po nxit organizimin e një proteste që është kundër vendimeve…

Gepostet von Xhelal Sveçla am Dienstag, 19. Mai 2020

Por, një gjë e tillë është mohuar nga Krasniqi.  Ai ka thënë se deklarata e Sveçlës është gënjeshtër,

“Deklarata e Xhelal Sfeqles se gjoja unë qëndroj pas ndonjë thirreje për të falë namaz në shesh është qind për qind gënjeshtër. Është e pakuptueshme dhe e turpshme që të gënjejë në këtë mënyrë një zyrtar i lartë i qeverisë. Asnjë thirrje të tillë, asnjë organizim të tillë nuk kam ftuar, as nxitur asnjëherë. Unë kam shprehur qëndrim publik se duhet të hapen xhamitë, me kujdes e me zbatim të rregullave, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Deklarata e Xhelal Sfeqles se gjoja unë qëndroj pas ndonjë thirreje për të falë namaz në shesh është qind për qind…

Gepostet von Milazim Krasniqi am Dienstag, 19. Mai 2020

Në anën tjetër, Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ka thënë se ende nuk janë krijuar kushtet për hapjen e xhamive.

“Kështu janë mendimet e ekspertëve të kësaj fushe. Unë nuk e njoh këtë sëmundje, por këta kolegët këtu që kanë punuar natë e ditë për ne, do të japin mendimin e tyre për këtë. Ne do të shohim për mundësinë e parë për t’i hapur shtëpitë e Zotit”, ka thënë Tërnava./21Media